“Bashkia të shpëtojë Flamurtarin”, Xhafaj: Vlonjatët rrezikojnë rënien, ja si mbijetuam para 20 viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 21:49

“Bashkia të shpëtojë Flamurtarin”, Xhafaj: Vlonjatët rrezikojnë rënien, ja si mbijetuam para 20 viteve

Daniel Xhafaj, apel Bashkisë së Vlorës edhe kompanive turke për t’u ulur urgjentisht për të shpëtuar Flamurtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlonjat e shikon ekipin të rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria.

daniel_xhafaj

“Nuk ka kush t’i japë zgjidhje kësaj situate, përveç pronarit dhe sponsorëve”, ka deklaruar Xhafaj. Vlonjati tregon se Flamurtari rrezikonte edhe në sezonin ’98- ’99 pasi nuk kishte lekë, po kishte dëshirë, respekt ndaj fanellës dhe besim që nuk lejoi që kuqezinjtë të binin. Xhafaj shikon katër ekipe në garë për titull këtë sezon.

Daniel, Flamurtari gjendet në fund të tabelës së klasifikimit, si e shikoni situatën aktuale të skuadrës vlonjate?

Më vjen shumë keq për situatën aktuale që po kalon ekipi, ky klub me traditë dhe me emër të madh. Por besoj se të gjithë tifozët dhe dashamirësit e Flamurtarit shpresojnë që gjendja të ndryshojë. Këtë dëshiroj edhe unë.

Cila është zgjidhja në një kohë që nuk po shikohet asnjë gjë konkrete?

Zgjidhjen përveç sponsorit dhe bashkisë nuk ka kush ta japë tjetër. Ata të dy si ortakë duhet të veprojnë sa janë akoma në kohë. Mendoj se duhet që të dyja palët të bashkëpunojnë dhe të lënë çfarë ka ndodhur, por të shikojnë përpara për të zgjidhur situatën.

xhafaj

Gjasat janë që Eqerem Memushi të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. Mendoni se do të bëjë diçka?

Kushdo trajner që të jetë te Flamurtari, do ketë probleme në këtë situatë. Nuk do ta ketë aspak të lehtë.

Sa i rrezikuar është Flamurtari për të rënë nga kategoria?

Flamurtari është shumë i rrezikuar për të rënë nga kategoria nëse situata vazhdon të jetë e tillë. Pa u zgjidhur dhe pa bashkëpunim të të dyja palëve, bashkisë si pronare dhe sponsorit aktual, situata do të përkeqësohet edhe më shumë dhe ekipi do ta rrezikojë shumë rënien. Më vjen jashtëzakonisht keq për këtë. Uroj të mos ndodhë dhe të gjendet një zgjidhje.

Në sezonin ’98-’99 kur ju luanit në fushë me Flamurtarin, ishin thuajse të njëjtat kushtet si tani. A mund t’i cilësojmë të tilla?

Janë kohëra të ndryshme dhe situata të ndryshme. Atëherë kishe shumë lojtarë të ardhur nga akademia, të rinj me dëshirë dhe pasion për të ecur përpara. Edhe pse nuk kishte lekë, kishte bashkëpunim dhe dëshirë për të respektuar fanellën dhe tifozët.

xhafaj

Si arriti t’i shpëtonte rënies ai ekip në atë sezon?

Kishim besim, sepse ishin në atë kohë dy breza të rinjsh, si dhe me lojtarë të talentuar.

Ndeshja e radhës me Teutën. Çfarë rëndësie i jepni?

Për mendimin tim, rëndësinë më të madhe e ka ndryshimi i situatës se sa ndeshja e radhës. Gjithashtu, nuk është momenti të thuash sa keq është situata, por të fillojnë ta ndryshojnë atë sa nuk është vonë.

Keni luajtur me të dyja ekipet. Cila doni të fitojë, Flamurtari apo Teuta?

Unë dëshiroj që të dyja ekipet të jenë sa më të suksesshme dhe të luftojnë për trofe. Kam kujtime të mira dhe u uroj suksese përherë.

Cilin shikoni si pretendent për titullin kampion këtë sezon?

Do të jetë një konkurrencë shumë e fortë mes disa ekipeve. Mendoj se në garë dhe që do të luftojnë deri në fund për titullin kampion do të jenë Partizani, Kukësi, Tirana dhe Teuta.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"