“Bashkia të marrë përgjegjësi, borxhet një hall”. ish-trajneri Lutaj “skanon” Flamurtarin: Ngjitja nuk vlen, nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 21:12

“Bashkia të marrë përgjegjësi, borxhet një hall”. ish-trajneri Lutaj “skanon” Flamurtarin: Ngjitja nuk vlen, nëse…

Edmond Lutaj nuk e quan surprizë rënien e Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Ish-trajneri e priste një gjë të tillë, ndërsa zgjidhjen nuk e sheh vetëm te ngjitja e menjëhershme. Ai mendon se vlonjatët duhet t’u japin njëherë e mirë fund problemeve financiare të mbartura ndër vite dhe më pas të luftojnë për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai u bën thirrje palëve që drejtojnë dhe kanë në pronësi klubin, që të marrin përgjegjësitë që u takojnë.

 

lutaj-ne-kembe

Flamurtari është zyrtarisht pjesë e Kategorisë së Parë, e kishte menduar ndonjëherë Lutaj që do të vinte kjo ditë?

Po, patjetër që e mendoja. Rënia nga Kategoria Superiore ishte e pritshme dhe aspak surprizë.

Si mund të rikthehet ekipi në elitë?

Para se Flamurtari të mendojë ngjitjen, duhet të rregullojë problemet ekonomike. Ato janë edhe më të rëndësishme se rikthimi në Kategorinë Superiore. Nëse ti kthehesh në elitë dhe vazhdon të kesh të njëjtat probleme të trashëguara nga e kaluara, atëherë klubi dhe ekipi nuk kanë për të qenë kurrë të qetë dhe komodë.

Sa do të përshtatet Flamurtari në inferiore?

Normalisht, kur bie në një nivel më poshtë, ka vështirësi me përshtatjen, por mendoj se pas njëfarë kohe, Flamurtari do të ambientohet me këtë gjë. Klubi ka një traditë që do ta ndihmojë.

Në çfarë forme?

Vetëm pesha që ka kjo fanellë do t’u japë motivimin e duhur lojtarëve dhe stafit për t’u kthyer në Superiore.

Ekipi ka shumë elementë të rinj në përbërje, si e vlerësoni këtë fakt?

Elementi i ri është një impuls pozitiv sepse përçon shumë energji, por ka nevojë të gërshetohet me lojtarë me përvojë për t’u mbështetur te përvoja dhe për të dhënë rezultat.

Lutaj

Dinamoja, Elbasani dhe Besa u bënë vite që nuk po ngrenë kokë, a mos rrezikon edhe Flamurtari të hyjë në një krizë të thellë?

Kjo gjë nuk është çudi, edhe mund të ndodhë. Unë për Dinamon dhe Elbasanin e di se janë në pronësi private. Rezultatet dhe gjendja e këtyre ekipeve varet nga serioziteti i investitorit. Flasim për klube me një traditë të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Për Besën nuk kam informacion nëse është private apo bashkiake. E di që ka një president që investon, por kaq. Te Flamurtari pastaj, Bashkia Vlorë ka menduar që ta eliminojë koston që ka një klub futbolli dhe ia ka dhënë me kontratë një privati. Në këtë rast, secili duhet të marrë përgjegjësinë e vet, ku edhe bashkia duhet të kontrollojë investitorin që ta bëjë punën siç duhet.

Flamurtari u skualifikua nga Kupa e Shqipërisë që në ndeshjen e parë, ndërsa stafi teknik akuzoi edhe gjykimin. Keni një koment?

Eliminimi nga Kupa nuk është ndonjë qamet i madh. Ankesat për arbitrat janë një gjë e zakonshme në futbollin shqiptar.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"