Bashkia s’ka vendosur asnjë kusht, luhet për… qef /Miliona dhe afrime, por Lushnja nuk ka asnjë objektiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 15:10

Bashkia s’ka vendosur asnjë kusht, luhet për… qef /Miliona dhe afrime, por Lushnja nuk ka asnjë objektiv

Lushnja është ndër ato klube që vetëm për financa nuk vuan. Edhe këtë vit u miratua një buxhet prej 400 milionë lekësh (të vjetër), që mjaftojnë për të ndërtuar një ekip pretendent në këtë ligë. Sezoni 2021-2022 do ta gjejë të ndryshuar në masën 40% ekipin, teksa janë larguar 10 lojtarë dhe afruar 9 të tjerë.

lushnja

Nëse këto lëvizje konsiderohen normale në kohë merkatoje, nuk është aspak normale që një klub ta nisë garën pa pasur një synim konkret. Për çfarë do të luftojnë verdhejeshilët në kampionatin që starton më 11 shtator? Kjo është një pyetje që nuk e ka një përgjigje. Zyrtarisht nga Bashkia e Lushnjës nuk është vendosur asnjë objektiv konkret. Lushnjarët do të nisin sezonin e katërt radhazi në Kategorinë e Parë, por me probleme të mbartura. Mungon një sponsor, kanë një infrastrukturë shumë të dobët dhe pa asnjë objektiv konkret, qoftë edhe për gjysmën e parë të sezonit, pasi siç dihet, Bashkia e Lushnjës ka nisur procedurat për privatizimin e klubit.

QOSHKU- Pas miqësores me Albpetrolin, lushnjarët pushuan një ditë dhe vetëm dje nisën zyrtarisht përgatitjet për javën e parë të kampionatit. Kundërshtar do të kenë Maliqin, me të cilin do të matin forcat në transfertë. Lushnjarët e mbyllën verën përgatitore me 5 miqësore, ku barazuan 2 dhe humbën 3 prej tyre. Mesfushori Aldo Qoshku mendon se skuadra është gati për startin. 22- vjeçari që shënoi me penallti në Patos, llogarit vetëm fitore kundër maliqarëve.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, flet edhe për raportin që ka me 11-metërshat. “Ekipi filloi përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit. Është një ndeshje e rëndësishme, pasi janë 90 minutat e para. Do i marrim që të gjitha masat e nevojshme dhe do të shkojmë në Bilisht për fitore, pasi atje do të luajmë me Maliqin. Unë si në qendër të mesfushës edhe në krahë e ndiej veten mirë, jam gati të luaj kudo që skuadra ka nevojë. Sa u përket penalltive, jam mësuar të godas që i vogël (qesh)”, është shprehur 22-vjeçari, mesfushori qendror Aldo Qoshku.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"