“Bashkia nuk jep lekë, garë e fortë për elitën”, presidenti i Bylisit rrëfen interesimin e Lokomotiva Zagrebit për talentin: Na ofruan 100 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 10:34

“Bashkia nuk jep lekë, garë e fortë për elitën”, presidenti i Bylisit rrëfen interesimin e Lokomotiva Zagrebit për talentin: Na ofruan 100 mijë euro

Besnik Kapllanaj “skanon” Bylisin. Janë të pathyeshëm pas 6 javësh dhe meritë të padiskutueshme ka edhe ai. Ruajti grupin dhe afroi elementë cilësorë, duke ndërtuar një skuadër që po komandon me meritë garën.

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj logo

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet për synimet dhe strategjinë me talentet. Prek edhe një temë tjetër që lidhet me financat dhe infrastrukturën, ndërsa rrëfen se mungon mbështetja nga Bashkia e Ballshit. “Nuk e patëm të lehtë në Burrel, sepse fusha nuk ishte në gjendjen optimale. Mua nuk më kënaq asnjëherë fitorja, po nuk prodhuam lojë. Duam të bëjmë diferencën këtu, sepse jemi ndërtuar për t’u ngjitur direkt në Kategorinë Superiore”, u shpreh fillimisht kreu i klubit.

DOVEDAN DHE TALENTET – Presidenti ka 16 vite që investon në Ballsh dhe krenohet jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për U21. “Dovedan kaloi tri vite te ne, por cikli përfundoi me rënien nga elita. Nëse do mbijetonim, do të vijonte. Trajneri aktual është një njohje imja dhe projekti është në rrugë të mbarë. Veç ekipit të parë, po spikat edhe U-21. Ka shumë lojtarë që kanë luajtur 11 ndeshje pa mbushur 17 vjeç dhe po përmend Marcelino Prekën.

Lokomotiva e Zagrebit ofroi për të 100 mijë euro dhe ruanim 10 për qind të kartonit. Por pritshmëritë tona janë për më shumë, ndaj nuk u nxituam. Antoni e Hadroj kanë pasur shumë oferta, por ne kemi edhe Eminin, Rucin apo Macollin, që janë të datëlindjes 2002- 2003, por edhe shumë emra si: Stojanoviç që nëse ka oferta, edhe mund ta shesim. Synojmë që më shumë të kemi oferta konkrete, ndryshe nuk ia vlen”, sqaroi Kapllanaj.

BASHKIA DHE GARA – Teksa u ndal te bashkia, foli edhe për garën e rivalët. “Bashkia nuk respekton kuotat e veta. Ajo ka 25 për qind të aksioneve dhe ka dhënë 0 lekë, kurse sezonin e shkuar vetëm 3 milionë lekë. Çfarë mund të themi për mirëmbajtjen e fushës, që paguajmë lekë apo marrim policinë se nuk na vijnë ata të bashkisë… Duhet të marrin masa dhe klubit t’i japin atë që i takon. Nuk ka majtas apo djathtas, Bylisi është i Mallakastrës.

Në stadium vijnë të të gjithë krahëve. Ekipin duhet ta shohim si tonin, si i të gjithëve. Gara? Kategoria e Parë ka shumë rivalitet dhe ekipi është ndërtuar që të bëjë diferencën. Jo më kot u sforcuam financiarisht, duke mbajtur lojtarët më të mirë që kishim në Superiore. Por edhe Tomorin, Korabin, Burrelin, Erzenin apo Pogradecin e Turbinën, madje edhe Lushnjën e Apoloninë i vlerësojmë. Pastaj fusha e tregon se kush është më lart, sepse është futboll”, përfundoi Kapllanaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"