Bashkia e la thatë Flamurtarin, shfryn Idrizi: Qoka me taksat, paratë shkojnë në periferi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2020 | 21:57

Bashkia e la thatë Flamurtarin, shfryn Idrizi: Qoka me taksat, paratë shkojnë në periferi (E PLOTË)

Këshilli Bashkiak lëvroi 130 milionë lekë (të vjetër) për Orikun, duke injoruar Flamurtarin. U bë i shtati vit radhazi që vlonjatët dalin “thatë” dhe kjo gjë nuk është pritur mirë prej Sinan Idrizit. Ai ka reaguar ashpër pas këtij vendimi, ndërsa deklaron se po bëhen qoka me taksat e qytetarëve. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport” ai i kërkon Këshillit Bashkiak që t’u dalë për zot borxheve të vitit 2012, për të cilat janë bllokuar llogaritë bankare të klubit.
Sinan-Idrizi

“Ditën e parë që kam ardhur këtu, kam thënë se ne nuk do të marrim asnjë qindarkë nga taksapaguesit vlonjatë. Sikurse marr përsipër përgjegjësinë për rënien nga kategoria të ekipit, jam krenar që nga arka e qytetit të Vlorës nuk kam marrë një dollar. Orikun e menaxhojnë disa miq të mirë dhe biznesmenë të suksesshëm vlonjatë, por këtë pjesën që taksat e qytetarëve vlonjatë të shkojnë për të paguar rrogat e lojtarëve orikas nuk e kuptoj dot. Nëse Bashkia e Vlorës ka parà të tepërta sa harxhon 120, 140 apo 160 milionë lekë në vit për të paguar rrogat e lojtarëve të një periferie të Vlorës, atëherë ky nuk është problem im. Ky është problemi i Këshillit bashkiak, i qokave që bëhen për këtë dhe për atë. Ne nuk u marrim asgjë, por kemi llogaritë e bllokuara për dy borxhe të 2012-ës. Ndaj, Këshilli Bashkiak të vijë t’i studiojë dhe t’i paguajë. Por, nuk ka logjikë që të marrin lekët e taksapaguesve vlonjatë për të paguar rrogat e futbollistëve. Nuk ka logjikë që ti paguan taksën tënde në bashki dhe këto para të shkojnë në Brazil, Afrikë apo diku tjetër. Nëse do t’i kërkojmë për terrene, patjetër le t’i kërkojmë. Unë nuk e di si e argumenton këtë histori këshilli. 120 milionë lekë rroga drejtpërdrejt. Orikumi menaxhohet nga biznesmenë shumë të mirë dhe unë mendoj se as ata nuk kanë nevojë për këto para”, tha fillimisht Idrizi.

flamurtari-oriku

BORXHET – Sinan Idrizi reagon edhe ndaj problematikës së ngritur në Këshillin Bashkiak nga Sokol Kushta për çështjen e borxhit të restorantit. “Kam parë një moment të bukur në një mbledhje, kur dikush nga këshilli (i referohet Sokol Kushtës) nxirrte një problem për një pagesë të Flamurtarit ndaj një zotërie që ka pasur një restorant. I pashë aktivë zotërinjtë e bashkisë, që komentonin për këtë histori. Detyrimi është yni, pavarësisht problemeve që mund të kemi për shkak të çmimit të lartë apo çmimit të ulët. Por zotërinjtë të gjejnë kohën të flasin për detyrimet e vjetra që vetë Këshilli Bashkiak me ato kapriçot e asaj kohe na kanë krijuar ne. Me buxhetet e vjetra, do të ishte të paktën 6 miliardë të vjetër detyrimi që do të jepte bashkia për klubin dhe ne i kemi kursyer qytetit. Nuk ka logjikë kjo që nga njëra anë ne i kursejmë qytetit, nga ana tjetër ti shkon u cakton shuma goxha të majme ekipeve në periferi. Nëse është kështu, atëherë fillojmë me radhë. Kemi edhe një ekip privat këtu në Vlorë, financojeni edhe atë dhe nuk ka asgjë të keqe nëse paska lekë kaq të tepërt. Lëreni kohën”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

LEXO EDHE:

Bashkia e Vlorës injoron Flamurtarin për të shtatin vit radhazi, i jep 130 milionë lekë Orikut

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"