“Bashkia e Kavajës ka miratuar një pjesë të buxhetit për stadiumin e Besës”, shefi i klubit: Ja përse nuk erdhën dy lojtarët e Tiranës
Nuk preferon të jetë shumë mediatik, ta bëjë unin e të fusë hundët kudo, por e gjen gjithnjë pranë Besës. Atje ku janë shqetësimet e stafit dhe lojtarëve. Kushdo do ta kishte zili CV-në e tij, që plotëson formimin e një drejtuesi klubi. Jemi duke folur për Klejdi Zenelajn, shefi i klubit verdhezi, i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” zbulon gjithçka rreth ekipit, tratativat e ngecura në merkaton e dimrit, historinë e stadiumit apo marrëdhëniet me Bizhdilin.
Sa e vështirë është të punosh me presidentin Bizhdili?
Pyetje e vështirë. Duke qenë bashkëpunëtori më i afërt i tij, kam frikë se çdo përgjigje mund ta paragjykoni. Po ata që e njohin presidentin, besoj se më japin të drejtë kur u tregoj që është shumë e lehtë, madje privilegj të punosh me të. Pyesni më mirë futbollistët që janë larguar nga Besa të tregojnë se sa mirëkuptues, tolerant është ai me të gjithë. Madje, nuk e fsheh, që nganjëherë nuk jam dakord me qëndrimet tejet të zbutura që ai mban ndaj rasteve të veçanta.
U përfolën se do të huazoheshin disa futbollistë (Giamfi dhe Sasraku) nga Tirana. Përse nuk erdhën?
Në fakt, problemi nuk çaloi te marrëdhëniet e Besës dhe Tiranës. Ato janë të shkëlqyera. E vërteta është se lojtarët në fjalë patën problemet e veta me Tiranën e për pasojë ky huazim dështoi, jo se ata refuzuan të vinin. Besoj e keni ndjekur çfarë ndodhi me vetë lojtarët te Tirana deri sot.
Ndërkohë, është folur shumë për stadiumin e Besës, por ende punimet nuk kanë nisur…
Keni të drejtë, por besoj se ky moment i pandemisë i ka vonuar ose pezulluar punimet. Në përgjigje të pyetjes suaj, kam mësuar pranë bashkisë se Këshilli Bashkiak ka aprovuar një pjesë të buxhetit që i duhet investimit dhe vonesat kanë të bëjnë me procedurat standarde të prokurimit të tenderit. Pritet që brenda muajit shkurt, këto procedura të mbyllen. Shpresoj shumë që ndërtimi i stadiumit të fillojë sa më shpejt. Për Besën do të ishte njësoj si oksigjeni për një të sëmurë me COVID, aq të domosdoshëm e kemi.
Besa pas atij barazimi me Lushnjën i është larguar edhe më shumë Egnatias kryesuese.
Në kohën që jetojmë, Besa nuk ka investuar e po mendon vetëm Superioren. Ne punojmë çdo ditë për investimet afatgjata për tregun e futbollistëve. Po luftojmë dhe punojmë në dy fronte, atë të ngjitjes në Superiore dhe menaxhimit në treg të talenteve të reja. Kemi filluar që vjet një cikël të rritjes, promovimit të talenteve, e presim të marrim frytet në plane afatgjata. Tedi Cara është investimi ynë, po dhe siç e dini, në organikë kemi lojtarë si Dobjani, Kacbufi, Lila, Zeqiri, Shimaj, Zekolli, Meçja, që i shërbejnë këtij projekti.
Dy lojtarët e Tiranës nuk duken te Besa, shefi i klubit: Ja e vërteta
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"