Bashkia e Beratit i hap dyert Takajt për Tomorin: Mirëpresim ofertën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 23:17

Bashkia e Beratit i hap dyert Takajt për Tomorin: Mirëpresim ofertën…

Ardjan Takaj te Tomori?! Kjo është kryefjala e këtyre ditëve në opinionin sportiv beratas, dhe jo vetëm, pasi ky lajm ka pushtuar thuajse një pjesë të emisioneve sportive në vendin tonë. Edhe pse aktualisht është vetëm në kuadrin e fjalëve, sërish ky informacion duket se ka sjellë “bombën” më të zhurmshme në startin e kësaj merkatoje vere. Kjo hipotezë është hedhur për shkak të mospjesëmarrjes së Skënderbeut në Ligën e Kampioneve, edhe pse krerët e korçarëve janë duke pritur me interes përgjigjen e KAS-it të Lozanës brenda 10 ditëve.

Takaj

I ftuar në emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në “News 24” disa ditë më parë, presidentit të korçarëve i është bërë një pyetje e drejtpërdrejtë se çfarë do të ndodhë me të nëse do të mbetet në fuqi dënimi i FIFA-s për Skënderbeun. Sakaq, atij iu bë me dije edhe për thashethemet e fundit që e lidhin atë me klubin e Tomorit, por Takaj refuzoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes së gazetares, duke thënë se kishte vite pa e vizituar Beratin dhe tashmë po mendon vetëm për arritjet e Skënderbeut në kampionatin shqiptar. Por, çfarë pritet të ndodhë nëse mbetet në fuqi dënimi i UEFA-s? Një pyetje kjo, e cila mund të marrë shpjegime vetëm pas përgjigjes së KAS-it.

takajjj

BASHKIA E HAPUR

Në krahun tjetër, Bashkia e Beratit ka nxjerrë në shitje të gjitha aksionet e klubit, teksa gjatë këtyre ditëve po merret edhe me vlerësimin e aksioneve në bazë të historisë së tij. Nga burime pranë Bashkisë së Beratit është bërë me dije që klubi do të nxirret në ankand, duke afruar në këtë mënyrë investitorë seriozë, në mënyrë që klubi të largohet nga kategoritë inferiore njëherë e përgjithmonë. Në një prononcim, kryetarin e Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, foli ekskluzive për “Panorama Sport” në lidhje me fjalët e përhapura për këtë çështje.

Petrit-Sinaj-CV

“Nuk kam asnjë informacion lidhur me këtë lajm. Pra, që do të thotë se në zyrat tona nuk ka ardhur diçka e tillë. Nëse do të ketë interesim në ditët e ardhshme, atëherë ne do të ulemi për të diskutuar ofertën. Jemi të hapur”, tha kryebashkiaku i Beratit për gazetën. Beratasit prej katër sezonesh nuk marrin pjesë në elitë. Gjatë këtyre viteve, skuadra ka luajtur në Kategorinë e Parë, në një kohë që ka provuar edhe të Dytën. Tashmë, të gjithë i kanë sytë nga Takaj, i cili shpresohet që të marrë klubin.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"