Bashkia dhe Laze sërish pronarë? Ja skenarët për të ardhmen e Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2018 | 22:25

Bashkia dhe Laze sërish pronarë? Ja skenarët për të ardhmen e Elbasanit

Anglezët janë më shumë larg sesa afër klubit të futbollit të Elbasanit. Situata e krijuar së fundmi me këtë çështje në kampin verdheblu, ku ishte ish-presidenti Arben Laze, ai që ngriti alarmin mbi zvarritjen e pafund, ka sjellë një farë pështjellimi në kampin verdheblu. Kjo, më shumë për sa i përket të ardhmes së klubit, pasi situata është në “ajër” dhe e tillë do të vazhdojë edhe për disa kohë.

Elbasani

Nëse palët nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje nuk është çudi që të përfundojnë në dyert e gjykatave. Gjithsesi, të paktën në skuadrën aktuale nuk pritet të ketë asnjë ndikim dhe dy ndeshje nga mbyllja e kampionatit, pasi janë vetë futbollistët dhe stafi që e kanë ndarë mendjen t’i luajnë këto dy ndeshje që kanë mbetur dhe të mos ndikohen nga këto probleme.

Elbasani

E ardhmja – Dilemat më të mëdha janë për të ardhmen e klubit dhe askush nuk di t’i japë një përgjigje aktualisht. Por, nëse kompania e huaj nuk bëhet e “gjallë” dhe nuk likuidon aksionerët, me shumë gjasa marrëveshja do të prishet dhe në krye të klubit do të ishte bashkia e Elbasanit me Arben Lazen. Ky duket skenari më i mundshëm për momentin, edhe pse në Elbasan është shumë e vështirë të parashikosh se çdo të ndodhë.

laze-duka-sejdini

Megjithatë, deri para mbylljes së kampionatit situata do të vijojë të jetë e njëjtë dhe vetëm pasi të sigurohet ngjitja në Kategorinë e Parë, do të ndahet “shapi” nga “sheqeri”. Më pas do të niste një tjetër “odise” për shitjen e aksioneve dhe do të kërkohej për investitorë të rinj. Me pak fjalë, mund të thuhet se Elbasanit i kanë shkuar dëm 2 vite negociata dhe shitje të aksioneve, për më tepër që këto dy vite skuadra ka prekur edhe fundin.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të vijojë çështja e aksioneve me anglezët, edhe pse situata në lidhje me këtë problem duket e nderë. Ndërkaq, gazeta ka tentuar dje që të kontaktojë me kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini apo drejtues të tjerë të institucionit, por ata nuk kanë qenë të disponueshëm.

elbasanii

Ndërsa aksioneri Laze ka folur në lidhje me këtë çështje, bashkia vazhdon të heshtë duke mos thënë asnjë fjalë. Ndërkohë, skuadra pret që të luajë edhe dy ndeshjet e fundit të kampionatit për të zyrtarizuar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Verdheblutë renditen në vendin e parë në Grupin B me dy pikë më shumë se Orikumi, por në dy ndeshjet që kanë mbetur, është e pamundur që ekipi të ndalet.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"