Bashkëpunëtorët e Kontes zbulojnë sekretet: Të “murosur” ndërtojmë Interin, Antonio perfeksionist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 22:31

Bashkëpunëtorët e Kontes zbulojnë sekretet: Të “murosur” ndërtojmë Interin, Antonio perfeksionist

Antonio, Antonio, Antonio. Askush nuk e thërret me mbiemër, asnjëri nga shtatë bashkëpunëtorët e tij. Në një ditë kur i kanë hapur dyert e qendrës sportive “Appiano Gentile” prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport”, për një intervistë, në një ditë pune çfarëdo, për të parë nga pranë se çfarë qëndron prapa asaj që të gjithë shohin, 31 pikët në 12 ndeshje, duelin me Juventusin.

konte

Në përgjithësi, për të treguar më mirë Interin, risinë e tabletave në stol, këmbën numër 48 të Lukakut, copën e letrës që merr me vete kushdo që shkon në kombëtare, seksionet e personalizuara me video, përdorimin e palestrës dhe studimin e kundërshtarëve. Të gjithë nënvizojnë, në kor: “Antonio është perfeksionist dhe kërkues në punë. Normalisht edhe me ne. Pretendon të jemi në çdo moment të përfshirë, kemi për detyrë të propozojmë zgjidhjen e problemeve, jo vetëm t’i paraqesim. E vërteta është që këtu të gjithë jemi trajnerë, më pas ai vetë zbaton këshillat tona ose i korrigjon”.

Qëndron mendimi se Interi ka blerë “paketën Konte”, që garanton një metodë të përpiktë mbi të cilën nuk mund të bëhen modifikime. “Sa punojmë? Jemi të murosur në ‘Appiano'”, thonë duke qeshur. “Torino? Eh, atë e kemi studiuar, tani po spiunojmë Slavian”. Dhe kur nuk ka një kundërshtar, është merkatoja që plotëson ditët e stafit teknik zikaltër, me studimin analitik të blerjeve potenciale. Një mënyrë, edhe indirekte, për të nënvizuar faktin si Konte nuk është një trajner të cilit mund t’i blesh lehtësisht një lojtar, pa e pyetur. Është dhuntia e trajnerit të madh: të shtyjë klubin që t’i plotësojë gjithçka. Dhe të bëjë të pamundurën që ‘Appiano’ të jetë një fortesë: hyrjet janë të ndalura për menaxherët, përdorimi i mensës është i limituar te pjesëtarët e klubit. Vetëm Konte dhe stafi i tij”.

konte

PAOLO VANOLI/ 47 vjeç, bashkëpunëtor teknik i Kontes – “Kur punohet në një staf, vjen përpara koncepti ‘ne’. Unë punoj specifikisht te faza e mbrojtjes, por të gjithë duhet të dimë se çfarë të bëjmë”. Dhe ndihma e videove është thelbësore: “Bëjmë disa seksione në grup dhe disa të personalizuara, ku i tregojmë çdo lojtari lëvizjet e tij, mënyrën se si t’i korrigjojë. Ndërsa mbrojtësve u tregojmë sulmuesin për të markuar, kështu që të hyjë në fushë i përgatitur”. Video që Lazaro duhet të ketë kuptuar: “A i tregova imazhe të mesfushorëve të tjerë të Kontes? Jo, preferova t’i tregoj imazhe nga stërvitja e tij, çdo lojtar ka karakteristikat e tij dhe është e drejtë të punohet mbi to”. Në mbyllje, merkatoja: “Nga jashtë mund të mos kuptohet se përse vjen një lojtar dhe jo një tjetër: skuadrën e ndërtojmë kështu, vetëm me futbollistë funksionalë për modelin tonë”.

XHANLUKA KONTE/ 47 vjeç, vëllai i Kontes, bashkëpunëtor teknik – “Unë studioj kundërshtarin, shoh 4-5 ndeshje të çdo skuadre dhe kam një metodë të caktuar. Roli ynë është t’u përcjellim koncepte të qarta lojtarëve tanë për t’i praktikuar në fushë, duhet të japim sa më shumë informacione të mundshme, të tipit se cilat pasime duhet të ndalin për të vendosur në vështirësi këdo që luan kundër nesh. Strategjinë e vendos Antonio, por stafi është gjithmonë i përfshirë. Antonio ka aftësinë për të thjeshtësuar detyrat, t’u shpjegojë skemat lojtarëve. Kur analizojmë videot pas ndeshjeve dhe shohim që verifikohet diçka e provuar në stërvitje, i jepet besueshmëri punës. Unë shoh ndeshjen nga tribuna për të pasur një tjetër perspektivë. Puna analitike e Mikele Salcaruos, Alesandro Davites, Xhakomo Toninatos, Roberto Marelës dhe Mauro Leos na jep një dorë të madhe. Kur i tregojmë një video lojtarit, ankthi bie, është në të mirën e tij dhe të grupit: detajet janë gjithçka”.

konte

KRISTIAN STELINI/ 45 vjeç, zëvendësi i Kontes – Edhe me ndihmën e tij Konte vendos formacionin: “Është si plastikë. Në çdo moment mund të më ndryshojë. Dhe në më shumë se një rast 11-shja për të aktivizuar ka lindur që në ndeshjen paraardhëse. Programimin e punës javore e bëjmë me kohë. Vetëm në fund të ditës ua konfirmojmë lojtarëve tipin e punës të ditës pasardhëse, në bazë të mënyrës si ka ecur stërvitja”. Një tjetër sekret: “Tableti zbarkon në Serinë A? Ne në të vërtetë e përdorim që tani në stol, edhe pse syri njerëzor është ende fitues. Kemi një metodë shumë të përpiktë, kush na zgjedh, e di si punojmë, ndryshimi mes të qenit lojtar i madh dhe kampion nis në stërvitje”. Ndërsa merkatoja nis edhe nga bashkëpunëtorët e Kontes: “Ne studiojmë blerjet potenciale, përpiqemi ta imagjinojmë në brendësi të sistemit të Antonios. Krijojmë një imazh, më pas ai dhe klubi vendosin”.

KOSTANTINO KORATI/ 52 vjeç, përgatitës atletik – “Si arrij t’i menaxhoj periudhat me 7 ndeshje në 20 ditë? Duke u përgatitur, duke përcaktuar punën më përpara, duke parashikuar situatat. Pauzat? Te kjo për shembull punojmë me vetëm pesë titullarë. Dhe në njëfarë mënyre duhet të mbrohemi. Kështu secilit prej lojtarëve që shkon në kombëtare u dorëzojmë disa detyra specifike që duhet të kryejë larg prej këtej, përtej seancave specifike të vendosura nga trajnerët përkatës. Është e vetmja mënyrë për të evituar që të humbasin ditë thelbësore për programin tonë”.

ANTONIO PINTUS/ 57 vjeç, “rreshteri” që komandon përgatitjen atletike – “Vështirësia është që luajmë gjithmonë: për këtë arsye puna individuale është thelbësore. Muskujt qëndrojnë të freskët pas 7 ndeshjesh në 20 ditë nëse je i përgatitur: për mua përgatitja më e mirë është përgatitja. Kur hyn në centrifugën e ndeshjeve, duhet të përpiqesh të riaftësohesh sa më shpejt. Kanë rëndësi të madhe puna çlodhëse, terapitë e shkarkimit muskulor, puna e posturës, masazhet, rifitimi i energjive të humbura falë ushqimit korrekt. Për mua dhe Antonion forca është një aspekt shumë i rëndësishëm. Unë nuk ndjek modat dhe jam dakord me trajnerin: për të arritur objektivat në stërvitje nevojitet një punë e mirë. Krahasuar me vitin e kaluar shumë lojtarë edhe falë dietologut Mateo Pinçela kanë përmirësuar aspektin e masës dhjamore dhe kanë humbur peshë. Kujtoj që Morientes kur shkuam në finalen e Champions-it me Monakon humbi shumë kilogramë sepse e ndoqa hap pas hapi…”.

Konte Inter

ADRIANO BONAIUTI/ 52 vjeç, përgatitësi i portierëve – Njeriu i besueshëm i Handanoviçit me të cilin punon nga kohët e Udinezes. “Bëj një punë shumë specifike, por ndryshoi trajneri dhe për këtë arsye jemi ambientuar me metodat e Antonios, me situatat e reja taktike, me modulin. Dhe ai në këtë drejtim është strateg. Samir është një portier i nivelit të lartë, të punosh me të do të thotë të përmirësosh detajet. Me Antonion punojmë shumë mbi videot: Handanoviç studion lëvizjet natyrale të kundërshtarëve për të kuptuar sekretet, situatat që mund të krijohen në fushë. Mes nesh ekziston një besim i madh dhe kjo nevojitet edhe kur duhet të menaxhojmë gabimet: njohuria e personave që ke përpara ndihmon, di si sillen në momentet e bukura apo të vështira. Kam pasur fatin të stërvis lojtarë të niveleve të larta: e di kur gabimi është banal dhe vetëm një herë, këtu trajneri duhet të punojë më shumë. Për Handën është i rëndësishëm roli i Padelit: nëse ke një të dytë të dobët, ulet rendimenti edhe i të parit, sepse nuk kërkon kurrë të gërmojë për t’u përmirësuar”.

HULIO TOUS/ 48 vjeç, me Konten që nga kohët e Juventusit, është përgatitësi i specializuar për punën në palestër – “Forca e një lojtari është gjithçka, nëse i mungon, nuk mund të luajë në futbollin e sotëm. Një herë në javë bëjmë një seancë në grup, më pas synojmë te përgatitja individuale: kur lojtarët janë jashtë nga ‘Appiano’ ndjekin një tabelë edhe në shtëpi. Një lojtar me të cilin kryejmë shpesh një punë të personalizuar është Lukaku: përpiqemi gjithmonë të bëjmë diçka më shumë. Për të menaxhuar muskujt e tij kontrolli është aspekti më thelbësor: Romelu ka forcë me tepri, nëse punojmë shumë mbi të, shpërdorojmë kohë; më intereson më shumë ta përgatisim te loja pa top, në mënyrë që të kryejë një lëvizje më shpejt. Ka këmbën numër 48 dhe një zhbalancim i vështirëson gjithçka. Po punojmë që të jetë në gjendje të menaxhojë më lehtë atë trup. E kam të vështirë ta kap: të shtyn, është vështirë të gjesh një shok që ta shtyjë, ndoshta i vetmi që ia arrin është Shkriniar”.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"