Basha është “fikur”, Kukësi më dobët se asnjëherë me golat e shënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 18:30

Basha është “fikur”, Kukësi më dobët se asnjëherë me golat e shënuar

Kriza e Kukësit lidhet në mënyrë të pashmangshme edhe me golin. Mungesa e një bomberi race, që t’i garantojë gola në sezon, ka bërë që verilindorët të mos jenë skuadra që të gjithë prisnin. Shënuesi më i mirë i kampionatit është Edi Basha, me nëntë gola dhe për herë të parë në këto 10 vite në Superiore, verilindorët rrezikojnë të mos kenë asnjë lojtar që të ketë shënuar mbi 10 gola në një sezon.

kukesi

Vetëm nëse kroati ia del të realizojë në sfidën e fundit me Tiranën. “Panorama Sport” u ka bërë një pasqyrë golashënuesve të skuadrës në 10 edicionet e këtij sezoni dhe sigurisht ai që spikat është drejtori aktual sportiv, Pero Pejiç. Kroati u mundua gjatë merkatos së verës dhe dimrit të gjente “kopjen” e tij në sulm, por nuk ia arriti dot, edhe për faktin se sulmuesit që të garantojnë golat, kushtojnë shumë dhe buxheti në dispozicion nuk e lejonte të bënte çmenduri. Afrimi i Shkurtajt në janar nuk rezultoi efikas, për më tepër që sulmuesi më shumë ka qëndruar i dëmtuar, ndërkohë që gjatë gjithë sezonit skuadra e vuajti mungesën e një bomberi.

BASHA

Kur stonon një lojtar kyç, çalon në njëfarë mënyre edhe skuadra. I tillë është edhe rasti tek ekipi i Kukësit. Kur verilindorët nisën sezonin ishte një surprizë e këndshme për të gjithë për lojën që prodhonte dhe rezultatet e arritura në fushë. Dhe, ai që spikati më shumë nga të gjithë në fillim ishte një kroat, i cili u bë mbi të gjitha interesant për emrin dhe mbiemrin e tij, të cilat “bënin bashkë” kryeministrin dhe kryetarin e mëparshëm të opozitës. Bëhet fjalë për Edi Bashën, sulmuesin e krahut të Kukësit, i cili është aktualisht golashënuesi më i mirë i skuadrës. Me golat e fillimsezonit, kroati jo vetëm po i jepte pikë të vyera skuadrës, por ishte edhe në garë për golashënues, por 28-vjeçari u “fik” rrugës.

Aktualisht ai ka mbetur në kuotën e nëntë golave të realizuar, në një kohë kur ka tre muaj që nuk po gjen rrugën e rrjetës. Për herë të fundit kroati ka shënuar përballë Teutës më 26 shkurt në atë barazim 1-1, me golin e shënuar në minutën e 90-të. Nga ajo kohë, kanë kaluar plot 13 takime pa shënuar, duke kaluar në njëfarë mënyre edhe një krizë, e cila është reflektuar edhe te skuadra verilindore. TË TJERËT – Duke mos pasur një pikë referimi në sulm, te Kukësi janë munduar të shënojnë të gjithë nga pak, teksa i dyti pas Bashës është serbi Luka Milunoviç, i cili e ka gjetur rrugën e rrjetës në shtatë raste. Për të vijuar më pas me kapitenin Gjelbrim Taipi dhe Feizhaon me nga gjashtë gola. Edison Ndreca ka realizuar katër, ndërsa Bruno Lulaj tre, ashtu si edhe Shqiprim Taipi dy gola, për të vijuar edhe me të tjerë që kanë gjetur nga një herë rrugën e rrjetës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"