Barleti Volej prezanton trajnerin Pogoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 20:19

Barleti Volej prezanton trajnerin Pogoni

Pas shtatë vitesh në drejtimin e trajnerit Hasan Gurabardhi, ku arriti të fitojë gjithçka, sezoni 2019-2020 vjen me ndryshime të mëdha për skuadrën Barleti Volej, duke nisur që nga drejtimi e deri te përbërja e skuadrës.

artan pogoni

Në krye të ekipit universitar tashmë do të jetë trajneri Artan Pogoni, i cili rikthehet të drejtojë pas plot 14- vitesh. Në ambientet e universitetit “Marin Barleti”, dje u bë edhe prezantimi i trajnerit, i cili do të ketë si ndihmës Altin Gorenxën, ku ky i fundit largohet nga volejbolli i luajtur pas fitimit të titullit kampion, para disa muajsh me Partizanin. Në konferencë ishin të pranishëm gjithashtu, Artan Shyti, zëvendësrektori i UMB-së, si dhe lojtaret Dajana Shabaku dhe Kristiana Çaushaj.

Pogoni e komentoi kështu rikthimin e tij në pankinë pas 14 vitesh: “Në fakt ka qenë e vështirë si vendimmarrje për t’u rikthyer në trajning, ndërsa 14 vjet janë një boshllëk për t’u kaluar. Megjithatë, unë kam qenë pjesë e volejbollit shqiptar duke stërvitur fëmijët. Është një ndjenjë pozitive, ndërsa e kam marrë me shumë qejf dhe me shumë dëshirë. Besoj se do të jetë një ndjesi e mirë për t’i stërvitur këto vajza”. Tashmë merkatoja është ndezur me skuadrën e Partizanit që duket mjaft aktive, ndërkohë që Barleti këtë sezon duket se do të fokusohet më shumë në lojtaret të cilat ndjekin studimet në këtë universitet, ndërsa nga ekipi janë larguar Picaku dhe Gjermeni.

“Skuadrat janë në lëvizje, ku ka largime dhe ikje. Sigurisht që janë dy ikje të rëndësishme, por nuk është se rezultatet e Barletit Volej ka qenë të mira. Kanë dy vjet pa marrë trofe dhe largimi i tyre është zëvendësuar me lojtare të reja, që besoj se do të bëjnë mirë”, deklaron trajneri kryeqytetas, i cili më pas shton: “Të gjithë kundërshtarët janë për t’u mundur. Partizani ka të tjera objektiva, ndërsa do të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Kështu që është problemi i tyre. Ne do ta marrim hap pas hapi dhe duke parë fazën e parë, më pas do të mendojmë dhe për ndonjë ndërhyrje në janar”, përfundoi Pogoni për “RTSH Sport”.

Ndërkohë, zëvendësrektori Artan Shyti, në lidhje me skuadrën që po ndërton Barleti, do të shprehej: “Këtu nuk është çështje financiare, është çështje parimore. Ne duam të kemi studente dhe lojtare të mira, që t’i përgatisim për t’i pasur trajnere dhe specialiste të mira, sepse kështu mendojmë se ndihmojmë volejbollin shqiptar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"