Barleti Volej perfekt, mbyll fazën pa asnjë humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 12:56

Barleti Volej perfekt, mbyll fazën pa asnjë humbje

Kampionet në fuqi të Barletit nuk njohin asnjë humbje dhe kryesojnë kampionatin, në përfundim të fazës së parë me pikë të plota 21. Kjo renditje i shpall “kampione të dimrit”, duke mos pasur asnjë rivale në luftën e tyre për të mbrojtur titullin e sezonit të kaluar. Kryeqytetaset e drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi fituan sot (dje) 3-0 ndaj Lushnjës, një takim që u luajt në “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe që ishte vetëm një formalitet i radhës për kampionet në fuqi.

Tirana-Barleti Volej

Ky rezultat ishte i pritshëm, duke parë se përballë njëra-tjetrës ishin dy skuadra që ndodhen në dy skajet e renditjes dhe me objektiva krejtësisht të ndryshme, në takimin e javës së fundit të fazës së parë, pra atë të javës së 7-të. Një epërsi e padiskutueshme e Barletit në të tre setet, që u fituan me diferenca, ndaj skuadrës myzeqare që e mbylli këtë fazë të parë pa asnjë fitore dhe në vendin e fundit.

Për sa i përket kronikës së ndeshjes, lushnjaret kanë bërë rezistencë vetëm në setin e dytë, ku kanë shënuar 20 pikë. Është dalluar gjatë këtij seti Seviana Sulko, e cila ka qenë mjaft aktive, sidomos në gjuajtjet në sulm përpara rrjetës. Për skuadrën e Barletit, kanë shkëlqyer në setin e parë si gjithnjë Amarilda Prenga, Jola Gjermeni dhe kapitenia Enkelejda Braho.

Ndërsa në setin e dytë bën diferencën për kampionet Oksana Fusha e Malvina Tuci. Në setin e tretë kanë shkëlqyer Stela Agolli, Patrisia Ibrahimi e Kejsi Xhelilaj. Sigurisht edhe lojtaret që nuk mundëm t’i përmendnim kanë kontribuar në pasimet dhe gjatë kryerjes së shërbimeve.

Sigurisht që ky është suksesi i padiskutueshëm për skuadrën studentore, e cila, jo vetëm që nuk po gjen rivalë, por është shkëputur pas këtij suksesi, 6 pikë përpara rivales më të afërt, Tirana, e cila do të luajë sot ndaj Teutës, në ora 17:00 në sallën sportive të “Fahrie Hoti”.

Ndërkohë që do të luhen dhe takimet e tjera si më poshtë. Pas ndeshjeve të sotme, lojtaret që do të jenë në dispozicion të trajnerëve të ekipeve kombëtare Altin Martiri dhe Roland Tarja, nga kjo skuadër janë: Malvina Tuci, Xhenifer Pira, Fatbardha Bicaku dhe Amarilda Llupo, të cilat do të vihen nën urdhrat e tyre ditën e hënë, kur dhe do të grumbullohet ekipi ynë kombëtar për miqësoren me Kosovën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"