Bare: Bushi e ndjen më shumë fanellën, ndaj është më kërkues se Simeone

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 11:00

Bare: Bushi e ndjen më shumë fanellën, ndaj është më kërkues se Simeone

Kapiteni i Shpresave, Keidi Bare, u shpreh në konferencën për shtyp se po e pret një gol me U-21. Në lidhje me të ardhmen, ai shprehet se është gati për Kombëtaren A. Në fund, Bares i kërkohet të krahasojë Bushin me Simeonen.

Kedi Bare Kombetarja U-21

“Jam 100 për qind i gatshëm për këtë ndeshje, pasi ishte thjesht një kontraktim në ndeshjen me Tiranën. Islanda është një ekip shumë i fortë dhe arma e tyre më e fortë janë topat e gjatë. Por, besoj se këtë ndeshje do ta bëjmë si të parën dhe shpresoj të marrim fitoren. Shpresoj që tifozët të na mbështesin, sepse e kemi si lojtarin e 12-të.

Arma jonë më e fortë është grupi i mirë, të cilët punojnë shumë dhe japin maksimumin. E kam menduar shumë herë një gol me Shpresat, pasi kam pothuajse një kohë të gjatë që nuk kam shënuar dhe shpresoj të realizoj këtë ndeshje. Kombëtarja? Për sa i përket një ftese nga Kombëtarja A, t’ia lëmë kohës. Unë jam i gatshëm si për Kombëtaren e madhe dhe atë U-21”.

Bushi dhe Simeone

“Besoj se janë të dy shumë kërkues, por profesor Bushi si trajner i Kombëtares kërkon akoma më shumë dhe e ndien shumë fanellën. Në çdo stërvitje dhe ndeshje kemi një ritëm tjetër të lojës”, përfundoi kapiteni Bare, i cili luan me Atletiko Madrid.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"