Bardhi presion rivalëve: Kastrioti, i pari në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 17:56

Bardhi presion rivalëve: Kastrioti, i pari në janar

Kastrioti ka lënë pas krahëve ndeshjen me Burrelin dhe është fokusuar te sfida e fundjavës ndaj Dinamos.

patrik bardhi

Kjo ndeshje do të luhet të dielën, në orën 13:00, dhe krutanët shkojnë të kompletuar, pasi rikthehet edhe mesfushori Abaz Karakaçi, shkodrani që ka shlyer dënimin prej 4 javësh të marrë pas transfertës me Veleçikun.

Lojtarët janë të përqendruar te përballja me blutë, ndërkohë që stafi teknik kërkon vlerësim maksimal, pavarësisht gjendjes aktuale të kundërshtarit. Sulmuesi Patrik Bardhi, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se Kastriotit i duhet përkushtim maksimal për të mos gabuar më. Krutanët kanë lënë jo pak pikë në javët e para.

Fitorja ndaj Burrelit ka sjellë kthesën që pritej te Kastrioti. Çfarë i duhet skuadrës për të mbajtur këtë ritëm?

Duhet të jemi më shumë të përkushtuar në stërvitje, të punojmë fort dhe të vazhdojmë me ritmin e ndeshjeve të fundit. Kemi qenë të bindur se do të ktheheshim te fitorja. Kundërshtarët tanë të javëve të para kanë qenë me fat që kanë arritur të na marrin pikë.

Janë 6 pikë të lëna në po kaq javë kampionat. Ku ka gabuar Kastrioti në këto ndeshje?

Ajo që i ka munguar Kastriotit ka qenë vetëm fati, sepse e them me bindje se kemi qenë dominues ndaj çdo kundërshtari që kemi luajtur deri tani, nga fillimi në fund. Nuk duhet ndryshuar asgjë, thjesht duhet të vazhdojmë kështu, me këtë ritëm, sepse rezultatet nuk do të mungojnë.

Luani me Dinamon në fundjavë. Si e shihni këtë përballje?

Është një ndeshje që do vlerësimin e vet dhe ne e dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Do të futemi në fushë me mendimin e qartë se duhet të marrim maksimumin e pikëve, nuk ka opsion tjetër. Dinamo nuk duhet parë nga pozicioni në renditje.

Në këto javë të para është vënë re se ka diferenca të vogla mes rivalëve, siç e vërteton edhe renditja. Çfarë do të thoshit për këtë rivalitet?

Jemi absolutisht ekipi më i kompletuar. Rivalët janë përpara nesh, sepse nuk janë përballur akoma me Kastriotin. Besoj shumë se deri në janar gjërat do të kthehen në normalitet dhe ne do të jemi në vend të parë, me sytë vetëm nga Superiorja.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"