Bardhi hero i Partizanit: Fitojmë se nuk kemi presion, ja sekreti i golave (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2018 | 22:47

Bardhi hero i Partizanit: Fitojmë se nuk kemi presion, ja sekreti i golave (E PLOTË)

Shpërthimi i Jurgen Bardhit te Partizani ka ardhur pikërisht sapo sulmuesi mbushi 21 vjeç. Një ditë pas ditëlindjes, të mërkurën, shënoi dy gola ndaj Kastriotit, ndërsa dje shënoi një herë, por sërish rezultati ishte i njëjtë, trepikësh. Në intervistën që dha pas fitores me Laçin, Bardhi ndihej i lumtur për kontributin që po jep te “demat”. Sulmuesi sqaroi edhe batutën e golit me Telushin, ndërsa çelësin e suksesit shikon mungesën e presionit në ekip.

jurgen bardhi

Jeni munduar shumë, por kjo ka qenë një javë rezultative për ju. Si ndiheni kur golat tuaj i kanë dhënë dy fitore radhazi Partizanit?

Jam shumë i lumtur, sepse po e ndihmoj shumë ekipin, si me asiste, ashtu edhe me gola. Ky zhbllokim, me Kastriotin shënova dy gola dhe tani një me Laçin, po më ndihmon mua dhe ekipin. Mendoni se jeni në rrugën e duhur për t’u shpallur mbase edhe golashënuesi më i mirë i sezonit në Superiore? Është shumë herët ta thuash këtë. Të shënosh në dy ndeshje, do të thotë se je në rrugën e duhur. Duhet shumë punë dhe shumë fat që ta arrish këtë gjë.

Si ndihet Bardhi në qendër të sulmit, aq më shumë që po ju shikojmë shpesh që po e merrni ekipin “për dore”?

Ndihem mirë, pasi jam gjithmonë në kontakt me topin dhe duhet të shënoj gola. Deri tani po e bëj mirë dhe ndihem shumë mirë sepse jam gjithmonë në lëvizje.

Në momentin kur u fut Mensah, pamë që dolët shpesh nga pozicioni. Futja e ganezit ju largon nga porta?

Trajneri na thotë të alternohemi, pasi edhe Mensah di ta bëjë shumë mirë rolin e sulmuesit të parë. Alternohemi dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin.

Kur ju ngacmonin më parë për mungesën e golit, thoshit se ia keni lënë Telushit. Tani duket sikur e keni marrë stafetën vetë, sepse keni shënuar 3 gola në dy ndeshje radhazi. Ia morët apo jua la ai stafetën?

Ma ka lënë mua për njëfarë kohe. Të shikojmë. Kur të më thotë Telushi do t’ia lë sërish (qesh).

Duhej të vinte ditëlindja që të shpërthenit në gola?

Nuk di çfarë të them. Gjithsesi, është gjë shumë e mirë për mua.

E ndieni presionin e vendit të parë, pasi keni një garë hap pas hapi me Skënderbeun?

Presioni gjithmonë vjen nga presidenti, ekipi apo faktorë të tjerë. Por në dallim nga e shkuara, nuk kemi presion dhe po i marrim ndeshjet një e nga një. Po ndihemi mirë.

Merkatoja e dimrit po afron. A pritet ndonjë surprizë nga Bardhi?

Nuk e di, jam i fokusuar te Partizani për momentin. Po erdhi diçka, është gjë e mirë. Të shohim.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"