Bardhezinjtë, kantier i hapur në nisje të kampionatit / Bllokadë për Murielin e Gjimshitin, Juvja merr vendimin për Ikardin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2022 | 10:04

Bardhezinjtë, kantier i hapur në nisje të kampionatit / Bllokadë për Murielin e Gjimshitin, Juvja merr vendimin për Ikardin

Juventusi është ende një kantier i hapur, edhe pse sezoni i ri fillon zyrtarisht sot. Ndërsa Masimiliano Alegri po bën përgatitjet e tij për ndeshjen e së hënës ndaj Sasuolos, drejtuesit bardhezinj i dinë mirë nevojat e trajnerit dhe të skuadrës.

JUVENTUS 1

Më emergjent është afrimi i një sulmuesi dhe prej ditësh në “pole” është Memfis Depai, holandezi i cili po negocion prishjen e kontratës me Barcelonën për t’u transferuar me parametër zero në një tjetër ekip që duket se do të ishin bardhezinjtë.

Por pavarësisht kontakteve të vazhdueshme mes holandezit dhe italianëve, të cilët i kanë ofruar një kontratë 2-vjeçare me 5 milionë euro në sezon, Depai ka ngrirë për momentin bisedimet.

depai

Sulmuesi ka kërkuar kohë për të vendosur, një lëvizje që ka ngritur dyshimet se pas saj mund të fshihet ish-drejtori i Juventusit Fabio Paratici, që po e ndjek për llogari të Totenhemit të tij.

IKARDI – Nevojën për një sulmues te Juvja është përpjekur ta shfrytëzojë edhe PSG-ja.

Francezët i kanë ofruar Mauro Ikardin “Zonjës”, një ofertë që ka gjetur refuzimin e prerë të torinezëve që nuk e konsiderojnë ishkapitenin e Interit si përforcimin e duhur.

IKARDI

ALTERNATIVAT – Pas Depait, Antoni Marsial është opsioni i parë i shqyrtuar që mund të mbërrijë si huazim.

Nga ana tjetër Arek Milik, polaku i Marsejës, renditet i treti në listë pas Luis Murielit, njërit prej favoritëve të Alegrit.

martial-milik

MURIEL E GJIMSHITI – Kolumbiani i pëlqen Juves që ka propozuar shkëmbimin me Mois Ken, por të cilin Atalanta e ka refuzuar. Bergamaskët nuk duan ta humbasin sulmuesin, ashtu si nuk duan të humbasin Gjimshitin, për të cilin ua kanë mbyllur derën ofertave.

gjimshiti-muriel

RABIO – Në mes të shumë kërkesave për të blerë, është edhe dikush që mund të lërë Juventusin. Bëhet fjalë për Adrien Rabionë që është më pranë Mançester Juanjtidit, me të cilin klubi bardhezi ka gjetur akordin për një shifër që pritet të shkojë drejt 20 milionë eurove.

Tani duhet bindur mesfushori dhe anglezët kanë pasur dje një takim me mamanë e tij në Torino, e cila u ka bërë të qartë se Rabio kërkon një rrogë superiore nga ajo prej 7 milionë eurosh që përfiton te Juvja.

RABIO

Bisedimet vazhdojnë, ndërkohë që Alegri shpreson se largimi i francezit do t’i hapë rrugën Paredesit, prej kohësh objektiv për mesfushën.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"