“Bardheblutë pësojnë gola ordinerë”, Omuri: S’e kuptoj dot nje ndeshje Tirana-Vllaznia pa tifozë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 17:24

“Bardheblutë pësojnë gola ordinerë”, Omuri: S’e kuptoj dot nje ndeshje Tirana-Vllaznia pa tifozë (E PLOTË)

Bedri Omuri, kundër stadiumit bosh në Tirana-Vllaznia. Ish-lideri i mesfushës së bardhebluve që ka luajtur pa fund “klasike”, nuk e kupton një stadium pa tifozë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Omuri vazhdon ta kritikojë ekipin dhe sidomos mbrojtjen, që sipas tij bën gabime ordinere. Omuri thotë se problemi i bardhebluve është te drejtuesit që te Tirana janë anonimë.

bedri omuri

Zoti Omuri, si ju është dukur Tirana këto javë pas derbit me Partizanin, për më tepër se tani është ndryshuar edhe trajneri?

Te Tirana nuk besoj se ka ndonjë ndryshim. Është e njëjta lojë ose identike. Pësojnë gola pa mbarim. Ekip jo i mirë. Vazhdon loja shumë e dobët. Një mbrojtje e keqe, sepse në mesfushë e lart skuadra është më mirë.

Ju thoni që problemi është mbrojtja?

Normalisht që po. Derisa pësohen kaq shumë gola, faji mbrojtjes i mbetet.

Ju keni kritika për Tiranën, ndërsa në klub mendojnë për titullin kampion. Mendoni se kjo skuadër mund ta arrijë këtë objektiv?

Qejf kam shumë që Tirana të shpallet kampion. Jo vetëm unë, por të gjithë. Ama kjo Tiranë nuk jep shpresa. Dëshirë kemi shumë, por me gjithë këto luhatje të shumta, është e vështirë që të dalë kampione. Janë bërë ndryshime të mëdha. Gjoja, u blenë lojtarë, por nuk blihen futbollistë sa për të kaluar radhën. Për të dalë kampionë, duhen marrë lojtarë cilësorë.

Bënë mirë apo keq që ndryshuan trajnerin te Tirana?

Mirë a keq, nuk mund ta pres me thikë, ndonëse për mua është keq. Ndryshimet çdo dy-tre muaj nuk sjellin stabilitet. E keqja te Tirana nuk është trajneri. Ta harrojnë. Janë drejtuesit dhe mënyra e organizimit të klubit Tirana që është i dobët. Te Tirana drejtojnë anonimët.

Do të luhet Tirana-Vllaznia. Si e shihni këtë sfidë?

Është një ndeshje e barabartë. Paçka se skuadra kundërshtare u mund ndeshjen e fundit dhe Tirana u barazua në shtesë do të jetë në ekuilibër. Dua të fitojë Tirana, por me gjithë peripecitë që ka, ndryshimet në formacion, sepse vjen njëri heq katër, fut pesë; nuk e di ku duan të dalin dhe cila është strategjia e klubit. Për mua bën shumë mirë që aktivizon të rinjtë. Më mirë rri një vit dhe nuk del kampion, siç kemi bërë gjithë këto vite dhe do të fitojë lojtarë. Duhet ta kishte bërë, sepse tani merr lojtarë, harxhon para dhe në fund rezultati është po zero. Veç Tiranës, të gjithë të tjerët marrin pjesë në Europë.

tiranaa vllaznia

Është normale që “klasikja” e futbollit shqiptar të luhet pa tifozë?

Nuk e di cili është problemi dhe përse është shtyrë dënimi i Tiranës. Në gazetë e lexova. Nuk e di kujt t’ia lë fajin, por nuk mund të luhet Tirana-Vllaznia me stadium bosh, s’e kuptoj dot. Asnjëherë nuk dua të flas kundër tifozëve të Tiranës, por e kanë ekzagjeruar pak. Nuk janë ata tifozët e Tiranës. Janë shumë pak, ama rrëmujën dhe dënimin ia bënë Tiranës, sepse nuk luajti me tifozë ndeshjet në shtëpi.

Ku duhet të ndërhyjë Tirana në janar?

Duhen ndryshime. Për mua mbrojtja është thelbësore. Tirana ka shënuar shumë gola dhe nuk e shoh aty problemin, por ka pësuar shumë. Pësohen gola ordinerë. Po t’i pësosh ata gola me ekipet e fëmijëve, ka kritika të forta, jo më për ekipin e parë. T’i bësh, e përsëris, ato gabime ordinere, më duket e pafalshme. Brenda zonës së vogël të pësosh ata lloj golash, është e pafalshme. Faji është kolektiv. Te Tirana duhet të ndryshojë gjithçka në mënyrë rrënjësore, por si fillim duhet të ndryshojë mentaliteti. Asokohe, Tirana nuk mendonte barazimin, por veç fitoren. Tani nuk gjen dot lojtarë fitues dhe Tirana është katandisur tek ideja që të shkojë të marrë pikë në një qytet të vogël. Ka shkuar keq, deri aty sa mundet me tre gola në Ballsh.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"