Bardheblutë “ngujohen” 48 orë para Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2016 | 9:05

Bardheblutë “ngujohen” 48 orë para Kupës

Tirana “ngujohet” 48 orë përpara Kupës së Shqipërisë. Sikundër dihet, ky kompeticion hyn në prioritetet e bardhebluve dhe trajneri Ilir Daja, si edhe drejtuesit, duke dashur që të mbajnë ekipin të përqendruar te ndeshja me Flamurtarin, kanë vendosur që ekipi të grumbullohet që dje, paçka se ndeshja luhet të dielën.

kf tiranaNjë njoftim të tillë lojtarët e kanë marrë vetëm gjatë ditës së djeshme dhe fill pasi mbyllën seancën përgatitore u “izoluan” në një prej hoteleve të kryeqytetit, atje ku do qëndrojnë deri në seancën e sotme. Stërvitja e fundit para çerekfinales së parë është programuar në “Selman Stërmasi”.

Duke qenë se prej ditësh ekipi ka kryer seancat në fushë me bar artificial, stafi teknik dëshiron që lojtarët “të çlirojnë” muskujt në terrenin perfekt të stadiumit. Fill pas përgatitjeve përmbyllëse, ekipi, i gjithë së bashku, do të marrë rrugën drejt Vlorës. Pasditen e djeshme skuadra është grumbulluar e gjitha, ndërsa sot pritet që të përcaktohet 18-shja.

Veç Masato Fukuit që vijon i diferencuar (pasi të hënën i bashkohet zyrtarisht grupit) dhe Erjon Vucajt që vijon terapinë rikuperuese, dje probleme ka pasur kapiteni Ervin Bulku, për shkak të një shqetësimi në këmbë. Daja dje e ka përqendruar punën te lojërat e ndryshme, me dhe pa top, teksa për të disatën ditë radhazi është testuar 11-shja që mund të zbresë nesër në fushën e stadiumit “Flamurtari”. Brazilianët me 99% të mundësive do ta nisin nga stoli, pasi ende nuk janë në kondicionin e tyre maksimal fizik. Hugo Almeida dhe Aleks Uillian mund të kenë minuta ndaj vlonjatëve vetëm në varësi të rezultatit. Porta do të mbrohet nga Edvan Bakaj, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen katërshja SmajliMuça-Karan-Hoxhallari. Me detyra në mesfushë do të jenë Teqja në qendër, ndërsa në krah Karabeci me Malajn. Sakaq, “pykë” është llogaritur Elis Bakaj, i cili do të ketë mbështetjen e Kërçikut dhe Likës në krahë. E, megjithatë, deri nesër, pritet që të ketë ndonjë lëvizje, më shumë në modul dhe jo në përbërje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"