Barcelona, vetëm barazim kundër Nisës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2014 | 12:23

Barcelona, vetëm barazim kundër Nisës

barcelonaBarcelona nuk ka mundur të shkojë më tepër se një barazim 1-1 në miqësoren e zhvilluar kundër Nisës. Trajneri Luis Enrike u dha shansin shumë prej talenteve të akademisë në këtë ndeshje, por edhe disa prej blerjeve të merkatos së verës, duke marrë sinjale pozitive. Ter Shtegen dhe Matjë e nisën takimin që nga minuta e parë, duke zhvilluar paraqitje të një niveli të lartë. I njëjti ishte edhe rezultati për Ivan Rakitiç i cili luajti përgjatë gjithë pjesës së dytë. Francezët e trajnerit Klod Puel kaluan të parët në avantazh, kur Pike shkaktoi një ndërhyrje të gabuar brenda zonës. Cvitaniç u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të. Ndërkohë, për katalanasit mendoi Ksavi që të ekuilibronte gjithçka, në të 70′. Mesfushori “veteran” realizoi gjithashtu me penallti, pas një ndërhyrjeje të gabuar në dëm të El Hadadit.
Luis Enrike – Trajneri i Barçës i ka thurur elozhe Ksavit për rendimentin e treguar në këtë ndeshje. “Kam dëgjuar të fliten shumë gjëra, por unë jam me të vërtetë i kënaqur me formën fizike dhe motivimin që ka Ksavi. Është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne dhe një lider në fushën e lojës”, tha Luis Enrike, duke nënkuptuar që 34-vjeçari nuk ka për t’u larguar gjatë verës. Ndërkohë, ka refuzuar të thurë elozhe për Ter Shtegenin, edhe pse ishte i vetmi futbollist që nuk u zëvendësua në miqësoren e djeshme. “Unë kam tre portierë dhe të gjithë kanë bërë një punë të mirë”, deklaroi ai pas miqësores së djeshme. Në fakt, një pjesë e mirë e atyre që pritet të jenë titullarët stabël të edicionit të ardhshëm nuk ishin të gatshëm për përballjen e djeshme, sidomos elementët e repartit sulmues.
Dëmtohet Montoja – Lajme të këqija për katalanasit gjatë përballjes së djeshme ndaj Nisës. Mbrojtësi Montoja u detyrua të dalë mes dhimbjeve nga fusha e lojës, në minutën e 37-të. Ai pësoi një goditje në kaviljen e këmbës së majtë dhe duket se mund të qëndrojë për pak javë jashtë. Në fakt, ai është një kandidat i fortë për të luajtur në formacionin këtë sezon, për të ulur në stol Dani Alveshin, që ka pasur probleme me drejtuesit sa i përket rinovimit të kontratës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"