Mesi bëhet më i paguari në botë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2014 | 20:50

Mesi bëhet më i paguari në botë

MesiLionel Mesi ka arritur akordin me Barcelonën për të rinovuar kontratën deri në vitin 2019. Pas një “telenovele” të gjatë, ylli argjentinas ka vendosur t’i qëndrojë besnik klubit ku u rrit, por me një arsye shumë të fortë. Ai është bërë lojtari më i paguar në botë dhe do të përfitojë plot 20 milionë euro neto në edicion, plus pesë milionë të tjera që mund t’i shtohen në formë bonusi prej arritjeve që do të ketë gjatë sezonit. Sa i përket klauzolës që e bën atë futbollist të lirë, nuk ka pasur asnjë ndryshim dhe do vazhdojë të jetë 250 milionë euro, shifër e përfolur se mund të paguhet nga disa klube europiane. Si “sakrificë” për pagën e lartë që do të përfitojë, Mesi ka hequr dorë nga një përqindje e të ardhurave prej imazhit. Deri tani ai përfitonte 100% nga reklamat që realizonte, ndërkohë që ka hequr dorë prej një pjese. Ka qenë pikërisht kjo pikë ajo që ka zgjatur për shumë kohë negociatat mes palëve, pasi babai i Lionelit nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga përfitimi. Ka qenë pikërisht skandali për evazionin fiskal, ai që i ka bindur disi për të ndarë të ardhurat, në mënyrë që edhe të jenë më të kontrolluara. Klubi i Barcelonës njoftoi zyrtarisht rinovimin e “Pleshtit” deri në vitin 2019, nëpërmjet një komunikate shtypi: “Barcelona njofton zyrtarisht se ka arritur një akord për të zgjatur kontratën me futbollistin Lionel Mesi. Firma do të hidhet në ditët e ardhshme. Futbollisti argjentinas është një legjendë e gjallë e Barcelonës. Ai është i huaji me më shumë ndeshje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, me 354 gola në 424 ndeshje. Qëkur ka debutuar në edicionin 2004-’05 ai ka ngritur 21 trofe të rëndësishëm: 6 tituj kampionë, tre Liga Kampionesh, dy Kupa Mbreti, dy Botërorë Klubesh, dy Superkupa të Europës, gjashtë Superkupa të Spanjës. Në aspektin personal ka fituar katër “Topa të Artë”, tri herë golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe tri “Këpuca të Arta”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"