Barcelona ka vetëm 13 titullarë, Gatuzo ka vendosur për Hysajn për ndeshjen e sotme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2020 | 12:57

Barcelona ka vetëm 13 titullarë, Gatuzo ka vendosur për Hysajn për ndeshjen e sotme

Barcelona çalon nga të gjitha anët në këtë fund sezoni dhe ndeshja me Napolin pritet që të jetë më shumë sesa e vështirë. Katalanasit do të kenë në dispozicion vetëm 13 lojtarë titullarë, me trajnerin Kike Setien, që për të pasur ndonjë zëvendësim gjatë sfidës ka grumbulluar 9 lojtarë të akademisë, por jo sulmuesin shqiptar Rei Manaj. Nënkampionët e Spanjës duhet të bëjnë pa disa mungesa të rëndësishme sidomos në mesfushë, ku përveç kampionëve si Arturo Vidal dhe Serxhi Buskets, të cilët janë të pezulluar me kartonë, nuk do të mund të mbështeten as në shërbimet e Artur Melos, i cili është kthyer të enjten në Barcelonë, por vetëm për të prishur konsensualisht kontratën, përpara datës 30 gusht.

napoli barca

Në të njëjtën kohë nuk kanë mundur që të rikuperohen mbrojtësi Samuel Umtiti apo edhe sulmuesi Osman Dembele, por fatmirësisht ia ka dalë Antuan Grizman, i cili pritet të formojë treshen e sulmit me Suarezin dhe Mesin. Më poshtë, lista e të grumbulluarve të Barcelonës: Ter Shtegen, Neto; Semedo, Pike, Rakitiç, Suarez, Mesi, Lengle, Grizman, Alba, Roberto, De Jong e Fati, plus të rinjtë Zhunjor, Penja, Puig, Araujo, Monçu, Mingueza, Konrad, Reis e Jandro.

Hysaj goli i pare me Napolin

HYSAJ NGA STOLI – Ndërkohë, për Napolin ka lajme të mira, ndryshe nga Barcelona. Ndonëse mungesa e titullarit të portës, Meret, dihej prej një jave, për arsye dëmtimi, trajneri Gatuzo ka rikuperuar kapitenin Insinje, i cili ka kryer të plotë testin e fundit në seancën e pasdites së djeshme, duke luajtur me ekipin e titullarëve përkrah Kajehonit e Mertensit në sulm.

Ndërkohë, në repartin ofensiv është grumbulluar edhe Jorente. Për sa i përket kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, nuk ka qenë pjesë e skuadrës së titullarëve, prandaj për të dueli i sotëm në “Kamp Nou” pritet të nisë nga stoli. Mbrojtësi i djathtë kuqezi pritet që t’ia lërë vendin shpejtësisë së Di Lorencos, ndërsa në të majtë do të luajë Rui.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"