Barcelona hedh sytë nga Asensio, Reali i përgjigjet duke synuar Dembelenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 10:16

Barcelona hedh sytë nga Asensio, Reali i përgjigjet duke synuar Dembelenë

Ditën e nesërme do të zbresin në fushën e lojës, por finalja mes Realit dhe Barcelonës ka nisur edhe në merkato. Me 222 milionë euro në duar, drejtuesit katalanas kanë të drejtën të synojnë dhe të mendojnë për çdo lojtar tjetër. Madje edhe për ata që luajnë me fanellën e rivalëve të përjetshëm. Këtë herë, Barcelona po mendon të transferojë një prej yjeve që po lindin në kampin madrilen, Marko Asension.

asensio

21-vjeçari konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit spanjoll dhe Perez nuk ka ndër mend ta largojë, por kjo nuk e pengon Barcelonën që të bëjë një sondazh për të kuptuar mundësitë që ka për ta transferuar. Të gjendur përballë kësaj situate, madrilenët po mendojnë që t’i prishin punë Barcelonës në transferimin e sulmuesit Dembele.

BARÇA JOSH ASENSION

Talenti i Realit nuk ka rinovuar ende kontratën e tij që parashikohet të ketë një klauzolë 500 milionë euro. Është “Daily Mail” që shkruan se spanjolli për momentin e ka klauzolën 72 milionë paund dhe drejtuesit e Barcelonës po mendojnë ta joshin duke i ofruar vendin e titullarit në “Kamp Nou”.

Te Reali, Asensio do ta ketë shumë të vështirë të jetë në 11-shen bazë dhe për këtë fakt mund të mendojë lëvizjen te rivalët e përjetshëm. Perez tha se kampionët e Realit nuk i blen askush dhe nisur nga kjo deklaratë duket se Barcelona e ka shumë të vështirë për ta transferuar spanjollin.

PEREZ DO DEMBELENË

Të karikuar më shumë se kurrë pas fitores së Superkupës së Europës, madrilenët janë duke përgatitur finalen me Barcelonën. Mirëpo, shqetësimi për Asension nuk e ka lënë duarkryq presidentin Perez. Mësohet se ai ka telefonuar homologun e tij Rainard Rojbal dhe i ka kërkuar informacione për francezin.

dembele

“Përpara se ta shisni, më thoni se sa është çmimi i tij”, mësohet t’i ketë dhënë Perez presidentit të Dortmundit. Dembele është shumë pranë transferimit te Barcelona, por gjërat mund të ndryshojnë në momentet e fundit. Reali i Madridit i ka ofruar edhe disa lojtarë për ta bindur ekipin gjerman që të pranojë shitjen e Dembelesë.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"