Barcelona e kërcënon me 10 muaj tribunë, Suarez sherr me katalanasit. Juventusi bën “spektatorin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 12:06

Barcelona e kërcënon me 10 muaj tribunë, Suarez sherr me katalanasit. Juventusi bën “spektatorin”

Marrëdhënia mes Luis Suarezit dhe Barcelonës është në limite. Të paktën këtë siguron e përditshmja katalanase “Sport”, organ shumë i informuar mbi lëvizjet në kampion kuqeblu, i cili saktëson se pas presionit të lojtarit te trajneri Ronald Kuman dhe në rangjet drejtuese për të qëndruar edhe një tjetër sezon në “Kamp Nou”, stafi teknik dhe presidenca i është kundërpërgjigjur me dorë të hekurt: “Nëse nuk largohesh nga Barcelona, atëherë të pret tribuna deri në fund të kontratës (në skadencën 30 qershor 2021)”.

leomessi-luissuarez16

Me pak fjalë, Bartomeu dhe Kuman i kanë treguar qartësisht 33-vjeçarit derën e daljes, i cili bazuar në këtë kërcënim, gjithashtu është kundërpërgjigjur me të njëjtën gjuhë, ndonëse me procedurat burokratike do të merren menaxherët dhe avokatët e tij: “Më jepni çdo qindarkë të pjesës së mbetur të kontratës dhe unë largohem diku tjetër. Përndryshe përfundojmë të gjithë në gjyq”, kanë qenë fjalët e lëshuara nga Luis Suarez.

Shkurt, mes uruguaianit dhe Barcelonës është luftë e plotë, ku zgjidhja është një e vetme: divorci mes palëve, ndonëse që të dyja kanë një mision për të kryer. Lojtari duhet të gjejë një ekip tjetër, ndërsa Barça duhet t’i shlyejë pagën që i takon për 10 muajt e ardhshëm. Gjithsesi, zgjidhjen e kësaj situate mund ta japë Juventusi, skuadra e cila është më e interesuara për futbollistin në këto momente dhe, madje, me të cilin kanë tashmë edhe bazat e një akordi 2-vjeçar prej 10 milionë eurosh neto në sezon, plus bonuse.

luis-suarezjuventus-composite_j7zjca1cqkzj1ej3pvkaupdon

Gjithsesi, ndërsa kampionët e Italisë për momentin po bëjnë vetëm spektatorin e betejës që ka nisur mes sulmuesit dhe katalanasve, në mes qëndron edhe ajo pasaporta italiane që Suarezit i duhet për t’iu bashkuar Juves. Nëse futbollisti amerikanojugor do të japë testin e gjuhës italiane në Peruxha, mes ditës së sotme dhe të enjtes, atëherë shpresat për t’u veshur bardhezi janë të mëdha. Në të kundërt, mund të vazhdojë luftën me Barçën, ndërsa Juvja do të rikthehet në sulm për Edin Xhekon.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"