Barcelona e do në janar, Lionel Mesi: Në Katar do të luaj Botërorin e fundit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 9:19

Barcelona e do në janar, Lionel Mesi: Në Katar do të luaj Botërorin e fundit!

Lionel Mesi vijon të jetë në qendër të vë mendjes për gjithçka ndodh rreth tij. Sulmuesi i Paris SG-së ka qenë protagonist edhe në barazimin në Lisbonë, duke shënuar golin e kampionëve të Francës.

Leo Mesi

Por golat janë bërë të zakonshëm për të dhe askush nuk habitet më nga ky fakt. Argjentinasi ka zënë faqet kryesore të shtypit europian, për dy çështje që nuk kanë të bëjnë me… golin.

Së pari, me deklaratën e tij se Botërori në Katar do të jetë i fundit për të me fanellën e Argjentinës dhe e dyta me faktin se Barcelona nuk po bën aspak shaka në lidhje me një rikthim të mundshëm të tij në “Camp Nou”.

DEKLARATA MBI ARGJENTINËN – E treta e vërteta vlen edhe për Lionel Mesin. Ylli argjentinas i Paris SG-së ka bërë me dije se Botërori në Katar do të jetë i fundit për të me kombëtaren “Albiçeleste”.

Gjatë një interviste të dhënë për televizionin “Star Plus”, sulmuesi argjentinas e ka bërë të qartë se pas Katarit nuk do të ketë Botëror tjetër për të me fanellën “Abiçeleste”.

“Jam pak i stresuar dhe mezi po pres ditën kur do të nisë kampionati botëror në Katar. Por ajo që di të them me siguri është se çfarëdo të ndodhë në Katar, ky do të jetë Botërori im i fundit”, ka thënë Mesi.

Por përpara se t’i japë fund me dy herë kampionët e Botës, Mesi dëshiron të largohet me trofeun e shumëlakmuar në duar.

“Mbërrijmë në një moment mjaft të mirë, kemi një skuadër të fortë. E vërteta është se në Botëror gjithçka mund të ndodhë, jo gjithnjë fiton më i miri.

Por do ta sulmojmë trofeun. Nuk e di nëse jemi apo jo pretendentët numër një, por Argjentina është gjithnjë mes favoriteve”, ka thënë ai.

BARCELONA – Por Mesi duket i lidhur dhe me Barcelonën. Mediat katalanase kanë bërë me dije se ai dhe Paris kanë një marrëveshje të fshehtë mes tyre, sipas së cilës, Leo mund të largohet që në janar nga klubi.

Se sa reale do të jetë mundësia mbetet për t’u parë. Por drejtori i çështjeve ekonomike të Barcelonës, Eduard Romeu në vetëm pak javë ka lëshuar dy deklarata në lidhje me të ardhmen e Mesit.

Jo më larg se dje ai ka deklaruar se klubi është gati të bëjë çdo lëvizje për të kthyer “Pleshtin” në “Camp Nou”. “Mesi mbetet gjithnjë pjesë e Barcelonës dhe këtu i ka dyert e hapura. E kam thënë se kjo është një çështje teknike e sportive.

Nëse trajneri e do ne jemi gati të vihemi në punë për ta kthyer. Kemi treguar se dimë të bëjmë mrekullira”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"