Barcelona-Bajern/ Në Lisbonë ka spektakël, sa shumë të përbashkëta mes ekipeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 23:57

Barcelona-Bajern/ Në Lisbonë ka spektakël, sa shumë të përbashkëta mes ekipeve

Barcelona-Bajern Mynih do të jetë një nga çerekfinalet spektakolare të Ligës së Kampionëve. Të premten më 14 gusht në “Estadio da Luz”, në Lisbonë, do të përballen dy ekipet që kanë bërë histori në këtë kompeticion. Katalanasit dhe bavarezët kanë sfiduar disa herë njëritjetrin në Champions.

MESI NOJER

Për shembull, hera e fundit ka qenë në vitin 2015 kur Barcelona e Luis Enrikes u kualifikua për në finalen e Berlinit dhe e fitoi Champions-in, ose në vitin 2013 kur Bajerni i Hejnkensit shkatërroi blaugranët dhe rrëmbeu trofeun në fund. Dy nga skuadrat më të mira në botë do të luajnë më shumë sesa një ndeshje. Shumë trajnerë dhe lojtarë kanë qenë pjesë e të dyja skuadrave, shumë interesa janë të përbashkëta dhe disa statistika i bashkojnë dy formacionet.

GUARDIOLA DHE VAN GAL- Të dy kanë stërvitur Barcelonën dhe Bajernin në epoka të ndryshme. Van Gal ka qenë 3 sezone në krye të skuadrës së Barcelonës ku fitoi 2 tituj, 1 Kupë Mbreti dhe 1 Superkupë Europe. Në vitin e tij të tretë nuk fitoi asgjë dhe u largua në verën e vitit 2000. Në aventurën e tij në Gjermani, Luis fitoi 1 kampionat, 1 Kupë dhe Superkupën e Gjermanisë. Shkoi edhe në finalen e Champions-it kundër Interit. Zikaltrit e shkarkuan edhe 1 vit më pas kur e përmbysën në fazën e 1/8- ave.

Nga ana tjetër, Pep Guardiola ka stërvitur Barcelonën pas largimit të Rajkardit në vitin 2008. Ai ndërtoi një nga skuadrat më të forta në historinë e klubit dhe më të mirat në historinë e këtij futbolli. Titujt e tij dhe loja “tiki-taka” i dhuruan Barcelonës 3 kampionate, 2 Champions, 2 Kupa Mbreti, 2 Superkupa të Europës, 3 Superkupa Spanje dhe 2 Botërorë Klubesh. Pasi u largua nga katalanasit nisi të stërviste Bajernin, i cili ishte kampion europe me Hejnkesin.

Trajneri spanjoll fitoi 3 tituj kampionë, dhe 2 Kupa Gjermanie, por nuk ia doli që të triumfonte në Europë. Interesant është fakti që në 3 sezonet që qëndroi aty u eliminua nga skuadrat spanjolle, Real Madrid, Barcelona dhe Atletiko. Fitoi një Superkupë Europe dhe një Botëror.

5 CHAMPIONS- Si Barcelona ashtu edhe Bajerni i Mynihut kanë nga 5 Champions në palmaresin e tyre. Barcelona i ka fituar në sezonet 1991- ‘92, 2005-‘06, 2008-‘09, 2010- ‘11, 2014-‘15, ndërsa Bajerni në sezonet 1973-‘74, 1974-‘75, 1975-‘76, 2000-‘01, 2012-‘13. Vetëm një prej tyre do të ketë shansin që të arrijë 6 tituj këtë sezon.

LOJTARËT E PËRBASHKËT- Janë 7 futbollistë që kanë luajtur si me Bajernin, ashtu edhe me Barcelonën. Patrik Anderson u transferua në sezonin 2001-2002 te Barcelona, pikërisht nga Bajerni. Mark Hjuxhs kaloi te katalanasit në vitin 1986, por një vit më vonë u huazua te Bajerni, ku qëndroi vetëm një vit. Pepe Reina është njëri prej tyre, i cili te katalanasit shkoi në vitin 2000, ndërsa te Bajerni ishte në sezonin 2014-2015 ku fitoi një kampionat nën urdhrat e Guardiolës. Mark van Bomel luajti një vit te Barcelona ku fitoi 4 tituj, përfshirë edhe Champions-in.

Me Bajernin u aktivizua për 4 sezone e gjysmë. Tiago Alkantara debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2009, duke u konsideruar si një nga talentet më të mëdha të “La Masias”. Katër sezone më vonë u transferua te Bajerni, ku ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm. Tani pret që të vendosë të ardhmen e tij, e cila duket larg bavarezëve.

Filipe Kutinjo dhe Arturo Vidal janë dy lojtarët e fundit që kanë luajtur me të dyja skuadrat. Braziliani u transferua në Katalonjë në dimrin e vitit 2018 pas negociatave të shumta me Barcelonën. Por rendimenti i tij nuk ishte ai i pritshmi dhe u huazua te Bajerni i Mynihut. Arturo Vidal u transferua te Barcelona në verën e vitit 2018. Ai ishte një nga më të mirët në ekipin gjerman, por dëmtimet e detyruan që të transferohet te Barcelona.

HUMBJA E FUNDIT- Bajerni i Mynihut është skuadra e fundit që ka mposhtur Barcelonën në Ligën e Kampionëve në stadiumin “Camp Nou”. Ishte ndeshja e kthimit, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Që nga ajo ditë Barcelona nuk humbi asnjë ndeshje në shtëpi. Por Bajerni nuk mund ta përsërisë këtë sukses, sepse ndeshjet do të luhen në Lisbonë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"