Barcelona-Atletiko/ Ter Shtegen-Oblak, kur titulli kalon nga… porta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 15:23

Barcelona-Atletiko/ Ter Shtegen-Oblak, kur titulli kalon nga… porta

Nuk ekziston një skuadër kampione që të mos ketë një portier të mirë. Gjithmonë duhet një portier që të bëjë diferencën në një moment të sezonit. Si Barcelona ashtu edhe Atletiko e Madridit mund ta bëjnë gjumin të qetë. Të dyja kanë në organikën e tyre portierë të nivelit botëror.

ter stegen jan oblak 1

Pa dyshim, Mark Andre Ter Shtegen dhe Jan Oblak konsiderohen si portierët më të mirë në botë. Të dy do të jenë protagonistë në ndeshjen e nesërme mes Barcelonës dhe Atletikos së Madridit, ashtu siç kanë qenë gjatë gjithë sezonit. Për gjermanin mund të themi që ka pasur ulje-ngritje.

E nisi sezonin duke bërë praktikisht ndërhyrje shpëtimtare në çdo ndeshje. Me mbrojtjen katalanase që fuste ujë nga të gjitha anët, atij iu desh që të merrte përsipër frenat në aspektin difensiv dhe në shumë ndeshje ka mbajtur në lojë skuadrën e tij. Kishte të drejtë Xherard Pike, i cili disa ditë më parë pas fitores me Valencian tha që ekipi pësonte gola shumë lehtësisht. “Na godasin pak, por sa herë godasin arrijnë të shënojnë.

Nuk është thjesht perceptim. Këtë sezon portieri gjerman pëson më me 3.09 goditje në portën e tij. Është normale që të ketë ecurinë më negative të golave të pësuar, 1.15 për ndeshje. Që Barcelona të fitojë kampionatin, duhet që gjermani të “kyçë” portën.

ÇFARË DUELI

Nëse gardiani gjerman është një lojtar i rëndësishëm për Barçën, kjo rëndësi shumëfishohet kur flasim për Jan Oblakun e Atletikos. Ka shumë pak portierë në botë që e mbrojnë portën si slloveni dhe Atletiko duhet të ndihet e qetë për këtë fakt. Ai ka pritur një penallti kundër Alaveshit dhe ka ngritur një “mur” në një pafundësi ndeshjesh, e fundit e fituar ndaj Elçes. 22 golat e pësuar në 34 ndeshjet e luajtura deri tani janë një armë e fortë për t’u prezantuar në “Camp Nou” dhe mbi të gjitha për të fituar çmimin si portieri më i mirë i vitit.

Për Barcelonën kjo është ndeshja e vërtetë dhe prova e zjarrit drejt titullit kampion. Objektivi i Oblakut është të fitojë një La Liga me Atletikon, sepse si portier i ka fituar të gjitha çmimet individuale në Spanjë. Ai prej vitesh renditet në listat e më të mirëve në botë, por do një trofe të rëndësishëm si La Liga. Për ballë ka portierin e talentuar gjerman dhe kjo gjë e bën ndeshjen e së shtunës një duel mes dy gardianëve në distancë. Titulli kampion kalon nga duart e dy portierëve, por mbetet për t’u parë cili do të shkëlqejë më shumë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"