Barça tregon muskujt para sfidës me Realin, “El Clasico” është si në kohët e arta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 18:25

Barça tregon muskujt para sfidës me Realin, “El Clasico” është si në kohët e arta

Barcelona do të luajë “El Clasico”-n kundër Re alit të Madridit ditën e shtunë me moralin e lartë pas ecurisë fantastike në kampionat. Fitorja e arritur kundër Real Vajadolidit do të thotë se katalanasit e kanë vetë në dorë fatin e tyre për të fituar titullin kampion këtë sezon duke iu afruar Atletikos, e cila udhëheq me vetëm 1 pikë më shumë. Ronald Kuman ka ndryshuar fatet e sezonit me skemën me 3 mbrojtës dhe fillimi i fazës së dytë të kampionatit ka qenë i jashtëzakonshëm. Hera e fundit që Barcelona ka humbur është më 5 dhjetor kundër Kadizit (2-1) dhe më pas kanë luajtur 19 ndeshje të tjera.

Dembele Barca

Katalanasit kanë arritur të marrin 16 fitore dhe vetëm 3 barazime. Për më tepër, Barcelona ka arritur 13 fitore në 14 ndeshje në vitin 2021 dhe kjo ka shërbyer për të shkurtuar diferencën me kryesuesin. Që nga java e 22- të, kur Barcelona fitoi kundër Betisit 2-3 dhe Atletiko barazoi me Seltën 2-2, katalanasit kanë arritur që të shkurtojnë 10 pikë. Gjithashtu, që nga java e 18-të, skuadra e Kumanit ka grumbulluar 7 pikë më shumë sesa Reali i Madridit dhe ka arritur që t’i parakalojë “Galaktikët”. Megjithatë, edhe këta të fundit kanë 9 ndeshje pa humbje në La Liga, por janë të varur shumë nga golat e Benzemasë. Mungesat e Ramosit dhe Varanit në qendër janë një tjetër shqetësim, por ndaj Liverpulit Militao dhe Naço treguan garanci.

NDRYSHIMI – Askush nuk dyshon që një nga faktorët kryesorë të përmirësimit të lojës dhe ecuria fantastike e rezultateve të Barcelonës varet nga skema me tre mbrojtës. Lojtarët kanë pasur një përmirësim të dukshëm në krahasim me fillimin e sezonit dhe kanë arritur të shënojnë më shpesh. Tashmë janë 18 futbollistë që e kanë gjetur rrugën e rrjetës. Dy lojtarët e krahut, Dest dhe Alba, kanë më shumë lirshmëri për të sulmuar, De Jong po shkëlqen si në mesfushë dhe në mbrojtje për të nxjerrë topin, Pedri duket si një veteran. Mesi është më i motivuar dhe Dembele i ka lënë pas problemet duke qenë i rëndësishëm. Përmbysjet në Kupën e Mbretit kundër Granadës dhe Sevijes injektuan moral dhe besim në kampin e Barcelonës. Mundësia për të bërë dopietë (titull dhe Kupë) është reale. Nëse Barcelona do të fitojë klasiken, atëherë do të hedhë një hap të sigurt drejt triumfit. Duhet thënë se Atletiko do të luajë me Barcelonën në transfertë. Gjithçka është e hapur, por kjo “El Clasico” vjen si në kohët e arta.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"