Barcelona perfekte, “manita” Levantes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2014 | 20:00

Barcelona perfekte, “manita” Levantes

BarcelonaBarcelona vazhdon marshimin në kampionat, duke bërë ligjin këtë herë në “Ciudad de Valencia” kundër Levantes. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrike është perfekte, ku ka fituar 4 takime nga 4 të luajtura dhe në mbrëmjen e djeshme, rivalit i shënoi pesë gola. Për blaugranat ky ka qenë një test i lehtë, ku kundërshtarët që gjenden në fund të tabelës kanë ngritur flamurin e bardhë pas vetëm 45 minutash me dy gola të pësuar dhe me një futbollist më pak. Shkëlqen në këtë takim bashkëpunimi midis Mesit dhe Nejmarit, me brazilianin që zhbllokon i pari rezultatin, ndërkohë që argjentinasi, përveçse dha dy asiste, mbylli goleadën e djeshme. E veçanta e kësaj Barçe është fakti që pas 4 javësh, nuk kanë pësuar asnjë gol dhe mbrojtja është më e mira aktualisht në Spanjë. Duke iu referuar të shkuarës, këtë gjë blaugranat e kanë bërë vetëm në vitin 1968 dhe 1977. Kampionët në fuqi të Atletikos janë 4 pikë larg katalanasve, ndërsa rivalët e përjetshëm të Realit -6 pikë.
Monolog blaugrana – Trajneri Luis Enrike ka bërë një ndryshim radikal në ekip duke e revolucionarizuar sërish 11-shen pas 9 ndryshimeve në Champions kundër APOEL-it. Por skuadra e tij që në nisje është e saktë dhe tregon se vjen nga një tjetër planet, ndryshe nga tokësorët e Levantes. Të zotët e shtëpisë mbyllen në mbrojtje dhe asnjëherë nuk dalin nga gjysmëfusha e tyre. Në gjysmëorëshin e parë, zotërimi i topit është 80% për miqtë që shfaqen të qetë e të kujdesshëm në kërkim të një të çare të mbrojtjes vendëse. Përpjekjet do të shpërblehen në të 33′, kur Nejmari mund gardianin Hesus dhe kthen në gol një asist perfekt të Mesit. Blaugranat vazhdojnë sulmet dhe Mesi fiton një penallti, pasi Vyntra e rrëzon brenda zonës. Karton i kuq për lojtarin e vendësve që gëzohen me faktin se “Pleshti” gabon nga pika e bardhë. Pavarësisht kësaj, goli i dytë do të vijë para përfundimit të pjesës së parë me një gjuajtje të bukur të Rakitiçit. Edhe i riu Sandro lë firmën e tij në këtë takim, i shërbyer nga Mesi në të 57′. Pas 7 minutash, është radha e Pedros të shënojë, pas shpërthimit të Hordi Albas. Levante praktikisht nuk ekziston në fushë dhe në të 72′ Mesi përfiton nga një dhuratë e gardianit Hesus Fernandez dhe shlyen kështu gabimin e bërë në pjesën e parë.
Rakitiç – Kroati Ivan Rakitiç shënoi golin e parë zyrtar me Barçën pas një gjuajtjeje shumë të bukur. “Për mua, ajo që ka rëndësi është të ndihmoj ekipin. Kur luajmë takime të tilla, gjithnjë pritet shumë nga ne. Falë Zotit e përfunduan mirë. Mua në dhomat e zhveshjes më pickonin se nuk shënoja gol. Ndeshje e lehtë? Të gjithë e dimë se sfidat në fushën e Levantes janë të komplikuara. Goli i dytë ishte çelësi për të gjetur qetësinë dhe fakti që rivalët ngelën me një lojtar më pak, na i bëri gjërat më të lehta. Por edhe mbrojtja na ka ndihmuar shumë. Sa i përket titullit, takimet duhet t’i marrim një nga një. Jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë deri tani”.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"