Barça nuk federon dot lojtarët, nga ana tjetër zbulohen rrogat marramendëse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 9:20

Barça nuk federon dot lojtarët, nga ana tjetër zbulohen rrogat marramendëse

Barcelona ndodhet në vështirësi serioze për të federuar lojtarët e afruar gjatë merkatos së verës. Të paktën kështu bëjnë me dije mediat spanjolle. Gazeta “Marca” ka konfirmuar se asnjë nga afrimet e merkatos së verës, për të cilët klubi ka shpenzuar mbi 150 milionë euro nuk është federuar ende.

laporta levandovski

Robert Levandovski, Rafinja, Zhyl Kunde janë disa nga afrimet e bujshme të katalanasve, por klubi nuk ka marrë ende dritën jeshile për regjistrimin e tyre në La Liga dhe që do t’i mundësonte më tej aktivizimin në fushë. Gjithçka ndodh kur ka mbetur vetëm një javë nga nisja e sezonit të ri. Për shkak të kësaj problematike, klubi vendosi të bënte disa manovra financiare ku futen shitja e 25% të të drejtave televizive për afro 600 milionë euro si dhe shitjen e 24.5% të aksioneve të “Barça Estudios” për “Socios.com”. Por edhe pas këtyre ndërhyrjeve situata nuk duket përsëri e qartë.

Jo më kot, klubi katalanas bëri një lëvizje të dëshpëruar duke i kërkuar UEFA-s paradhënie të milionave të arkëtuara nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve në sezonin e ri. Pas përgjigjes negative të UEFA-s, Barcelonës i duhet të bëjë një tjetër lëvizje për të federuar Levandovskin me shokë për nisjen e sezonit të ri. Klubi ka dy rrugë, ose të shesë një pjesë tjetër të aksioneve të “Barça Estudios” ose të shesë dy nga lojtarët që përfitojnë më shumë miliona pagesa si Memfis Depai dhe Frenki de Jong. Ndërsa nga njëra anë klubi katalanas përballet me vështirësi për të federuar lojtarët e afruar në merkaton e verës, nga ana tjetër pagesat e Barçës për futbollistët e saj janë vërtet të çmendura.

pagat

Ka qenë gazeta britanike “The Sun” që ka publikuar një pjesë të pagesave të lojtarëve të klubit spanjoll. Sipas tabloidit britanik në fjalë, lojtari më i paguar i Barcelonës është sulmuesi Osman Dembele. Francezi vendosi të rinovonte për dy vjet me klubin pas një konflikti të gjatë. Dhe rezulton se ai është lojtari që përfiton më shumë të ardhura, afro 18 milionë euro në sezon.

Ajo që bie në sy është paga e sulmuesit Robert Levandovski. I ardhur me shumë zhurmë nga Bajerni i Mynihut, polaku është vetëm lojtari i pestë më i paguar në klub. Ai do të përfitojë 10.6 milionë euro në sezon te katalanasit, më pak se te Bajerni. Në fakt, një gjë e tillë ishte raportuar menjëherë nga mediat gjermane. Një surprizë tjetër është se në vendin e dytë nga më të paguarit e Barçës është mbrojtësi Samuel Umtiti. Francezi është “zhdukur” nga qarkullimi me klubin që kërkon ta largojë. Por përtej kësaj ai përfiton më shumë se 16 milionë euro në sezon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"