Simeone ndal Barçën, Atletiko kampione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2014 | 9:26

Simeone ndal Barçën, Atletiko kampione

Atletiko Madrid kampionAtletiko Madrid kurorëzohet “mbret” i Spanjës. Ndeshje pas ndeshjeje, Diego Simeone udhëheq Atletikon drejt titullit të dhjetë në histori, të parët që prej vitit 1996, të dytën që nga viti 1977. Finalja e pabesueshme e “Kamp Nou”- t përfundon 1-1 dhe me barazimin Atletiko mban blaugranat tri pikë lart në renditje dhe thyen sundimin e dyshes Barça-Real, që zgjaste prej vitit 2005. Një ndeshje që për bardhekuqtë është si kampionati i tyre, pasion, punë, solidaritet, sforco dhe bashkim. Dhe futboll, natyrisht.
Lot bardhekuq – Gati 97 mijë persona në “Kamp Nou”, më pak se 500 të Atletikos. Ksavi e Nejmar qëndrojnë në stol, ndërsa Simeone hedh në fushë formacionin e zakonshëm. Mirëpo nuk zgjat shumë dhe për trajnerin argjentinas nisin telashet, sepse në hapësirën kohore të 8 minutave, nga e 14-ta deri në të 22-ën, nga loja dalin Diego Kosta dhe Arda Turan. Të pafat futbollistët që në stol ulen duke qarë për shkak të problemeve muskulore. Shqetësimi i Simeones është edhe përballja e javës së ardhshme e Champions- it ndaj Real Madridit në Lisbonë. Mirëpo, goditja është e madhe për madrilenët, ndërsa në lojë futen Adrian e Raul Garsia dhe skuadra përpiqet që të mos ndikohet psikologjikisht. Duket se taktika funksionon, sepse Barça bën presion, por nuk arrin të shënojë.
Klas kilen – Më pas mendon Aleksis Sançez që të sjellë festën në “Kamp Nou”. Mesi i pason me gjoks një top të dërguar nga Fabregasi dhe sulmuesi kilian gjuan fort, duke e çuar topin në këndin e majtë të Kurtuasë. Një gol i mrekullueshëm, i denjë për të vlerësuar maksimalisht në një finale të madhe. Është rrjeta e 100- të për blaugranat dhe Martino në tentativën e gjashtë për herë të parë është në avantazh ndaj madrilenëve.
Lojë e ashpër – Atletiko është për t’u lavdëruar. Nuk rrëzohet edhe këtë herë, përkundrazi përvesh mëngët dhe shton presionin, duke siguruar 4 goditje këndi radhazi, të cilat i kujtojnë Barçës dobësinë që ka në goditjet standarde. Portieri vendës sjell drithërima në “Kamp Nou” dhe mbyllja e pjesës së parë vjen mes nervave të tendosura dhe shanseve të humbura. Për më tepër që janë marrë edhe 5 kartonë të verdhë.
Simeone motivues – Më pas vijnë fjalët e Diegos, i cili gjatë pushimit të pjesës së parë u jep zemër të tijve, ashtu siç vetëm ai di të bëjë. Fillon pjesa e dytë dhe pas 4 minutash David Vija godet shtyllën e Barçës, gabon vetëm për vetëm me Pinton dhe më pas Godin barazon me kokë pas një goditjeje këndi, duke djegur sërish mbrojtjen vendëse. Atletiko transformohet, Barça trulloset. Song zëvendëson Busketsin e pafat dhe “Kamp Nou” arrin t’i zgjojë të tijtë. Arbitri anulon për pozicion jashtë loje një gol të Mesit, i cili shfaq sinjale të ndrojtura zgjimi nga një gjumë letargjik. Topi tani është gjithnjë i Barçës, nis një mësymje e gjatë, por që nuk i sjell shumë halle Kurtuasë. Ksavi futet në të 77-ën minutë, Dani Alvesh provon të shënojë nga jashtë zone, Pike bën qendërsulmuesin dhe kërkon një penallti. Në momentet e fundit në zonën kundërshtare shkon edhe gardiani Pinto, por blaguranat nuk mund të bëjnë dot asgjë. Për të gjashtën herë këtë vit Atletiko nuk humbet ndaj Barçës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"