Barcelona fiton me polemika ndaj Seviljas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2013 | 11:26


Barcelona fiton me polemika ndaj Seviljas

BarcelonaNë frymëmarrjen e fundit, Aleksis Sançez mban në këmbë Barcelonën. Në pritje të debutimit në Champions, katalanasit vazhdojnë me fitoret në kampionat, 4 të tilla në 4 takime. Por, ndaj Seviljes, ekipi i drejtuar nga Tata Martino vuajti shumë. Deri në minutën e 75-të, Barça kryesonte me rezultatin 2-0. Por, në çerekorëshin e fundit miqtë arrijnë që të barazojnë dhe kiliani shënon një gol në shtesë, që shtoi edhe më shumë polemikat. Në minutën e 64-t, arbitri Muniz Fernandez anuloi një gol të rregullt të miqve. Sipas tij, lojtari i Seviljes Huan Kala bëri faull ndaj Dani Alveshit, por një vendim i tillë acaroi së tepërmi miqtë. Dhe në fund, Sançez shënoi pasi koha shtesë mbaroi.
Nejmar shou – Trajneri Martino nuk i lë pushim lojtarët e tij. Në fushë kthehen Dani Alvesh dhe Buskets, ashtu si Ksavi e Iniesta dhe dyshja Mesi-Nejmar. Pas 14’ lojë, Hordi Alba zëvendësohet nga Adriano, pasi pësoi një tërheqje. Lojtari mund të qëndrojë larg fushës për 15- 20 ditë. Në minutat e para, vendësit rrezikojnë me anë të Nejmarit dhe të Tejos, e Sevilja shmang golin falë ndërhyrjeve të Betos dhe mbrojtjes hermetike. Nejmar është ai që bën diferencën, kurse Mesi duket pak jashtë forme. Goli i parë vjen në minutën e 36-të, me autor Dani Alveshin. Krosim i Adrianos në zonën kundërshtare dhe braziliani kërcen më lartë se të gjithë dhe me kokë realizon. Zhbllokimi i rezultatit bën që katalanasit ta luajnë pjesën e dytë me më pak presion. Por, skuadra e Martinos qetësohet pak si tepër dhe në vend që të mbyllë ndeshjen, nis të vuajë nga sulmet e miqve. Maskerano dhe Pike janë ata që shtyjnë ekipin të reagojë dhe sfida nxehet pas anulimit të golit të Caras nga arbitri. Por, Mesi sjell qetësinë, ndërsa shënon golin e 6-të në kampionat, pasi shfrytëzon saktë krosimin e Nejmarit.
15’ të çmendura – Kur u duk se ndeshja përfundoi, Sevilja nuk pajtohet me rezultatin dhe nis presionin. Rakitiç shkurton rezultatin në të 80’ dhe në të 90’ Koke shënon dhe realizon një barazim të pabesueshëm. Edhe fundi është i çmendur. Arbitri i katërt jep tri minuta shtesë. Vendësit shtojnë presionin dhe kur kishin kaluar 7 sekonda nga përfundimi i shtesës, Mesi jep asistin për Sançezin, që shënon dhe i jap fitoren Barçës dhe gëzimin 76 mijë tifozëve të “Kamp Nou”-t.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/