Barça fiton betejën, Gavi i “merr” fanellën Ksavit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 11:13

Barça fiton betejën, Gavi i “merr” fanellën Ksavit

Barcelona ka fituar betejën e saj të parë me Ligën spanjolle, teksa ka mundur të federojë në ditën e fundit të merkatos së janarit mesfushorin Gavi.

ndmd

Prej kohësh Barça dhe La Liga ishin vënë përballë tyre me institucionin drejtues të futbollit profesionist në Spanjë, që kishte refuzuar federimin e Gavit si pjesë e skuadrës së parë, si dhe refuzimin për të pranuar kontratat e reja të Markos Alonsos dhe Ronald Arauhos. Gavi ishte prioritet absolut për Barçën, duke ndier rrezikun se në fund të sezonit, lojtari që kishte një klauzolë 1 miliard euro mund të largohej me parametra zero.

Për të fituar betejën e saj me La Ligën, Barça i është falur një gjykate në Barcelonë që i ka dhënë të drejtë klubit katalanas dhe ka urdhëruar La Ligën që të pranojë kontratën e re të Gavit, i cili duke nisur nga ndeshja e sotme me Betisin do të jetë i federuar me ekipin e parë. Gjyqtari tregtar numër 10 i Barcelonës vendosi në favor të Barçës, pasi klubi i drejtuar nga Laporta iu drejtua drejtësisë të premten e kaluar për të mundësuar regjistrimin e lojtarit të tyre, pasi La Liga kishte refuzuar të pranonte kontratën e re të mesfushorit, duke qenë se ata do të anashkalonin “Fair Play”-in Financiar.

FANELLA E KSAVIT – Barcelona, jo vetëm ka mundur të federojë Gavin, por klubi katalanas ka zbuluar dhe fanellën e re që do të mbajë ylli i saj. Deri më tani, Gavi kishte mbajtur fanellën me numrin 20. Por duke nisur që nga takimi i prapambetur i javës së 16-të në La Liga, sonte në mbrëmje kundër Betisit ai do të veshë fanellën me numrin 6. Në këtë mënyrë ai ka trashëguar fanellën ikonë, të cilën dikur e mbante veshur, ai që është sot trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez.

BETEJA VAZHDON – Regjistrimi i kontratës së re të Gavit është vetëm raundi i parë i betejës mes Barcelonës dhe La Ligës. La Liga e ka zyrtarizuar në faqen e saj federimin e Gavit si pjesë të skuadrës së parë të Barcelonës, duke iu referuar kontratës së re të tij me klubin katalanas deri në vitin 2026. Por siç bëjnë me dije mediat spanjolle, La Liga do ta apelojë vendimin e gjykatës në lidhje me mesfushorin e katalanasve. Paralelisht me këtë, La Liga dhe Barça vijojnë përplasjet edhe për kontratat e reja të Markos Alonsos (2024) dhe Ronald Arauhos (2026), me institucionin e Tebasit që refuzon regjistrimin e kontratave të reja të tyre.

PANORAMASPORT.AL