Barça është perfekte, ja ilaçi magjik i Ksavit në 2023-shin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 15:52

Barça është perfekte, ja ilaçi magjik i Ksavit në 2023-shin

Barcelona i ka dhënë një goditje të fortë rivalëve në La Liga të dielën me fitoren kundër Seviljes. Pas humbjes së Realit në Majorka dhe suksesit të saj në “Camp Nou”, skuadra e Ksavit e sheh veten +8 nga Madridi i vendit të dytë.

960x0

Një diferencë e qenësishme në këtë moment shumë të rëndësishëm të sezonit. Një shkëputje e fortë falë një nisjeje perfekte të vitit 2023. Kur nisi viti, Barcelona dhe Reali ishin me pikë të barabarta në La Liga. Për më shumë vinin nga një barazim zhgënjyes në derbin e 31 dhjetorit kundër Espanjolit (0-0). Por duke nisur nga ai moment, Barça ka qenë një ciklon, që ka marrë përpara gjithçka i ka zënë rrugën. Në dhjetë ndeshje 9 fitore dhe një barazim me Betisin në gjysmëfinalen e Superkupës, të fituar nga lotaria e penalltive. E ndërsa Reali vazhdon të lërë pikë rrugës, Barça fluturon. Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Barcelonën, por që Ksavi ka ditur ta shtrojë si duhet. Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në ecurinë e “Blaugranave”.

MUNGESA E LEVANDOVSKIT – Me polakun në fushë, të gjithë hallet e sulmit të Barçës dukeshin të zgjidhura. Por pezullimi i tij me tri takime në La Liga ndryshoi skenarët. Një farë tensioni ndihej, por Barça tregoi se di të bëjë dhe pa të, tri ndeshje, po kaq fitore. Tri fitore që i dhanë besim një skuadre, që pa se di të fitojë pa qenë e varur te sulmuesi i saj më i mirë.

GOLASHËNUES TË RINJ – Në mungesë të golashënuesit më të mirë, shokët kanë nxjerrë në pah rolin e tyre. Golat kanë ardhur nga të gjitha anët. Rafinja dhe Dembele – ky i fundit deri sa u lëndua – kanë shënuar në ndeshjet e fundit. Pa francezin, braziliani ka shënuar në dy ndeshje. Golat kanë ardhur edhe nga mesfusha me Pedrin e Gavin në tabelë, teksa dhe prapavija ka dhënë kontribut siç ishte Zhordi Alba kundër Seviljes.

TER SHTEGEN DHE SISTEMI MBROJTËS – Portieri gjerman ka qenë një shpëtimtar në shumë ndeshje. Ai po zhvillon sezonin e tij më të mirë. Por nuk është i vetëm, sepse ka mburojën e mbrojtjes më të fortë në kampionatet elitare në Europë. Barça ka pësuar vetëm 7 gola, një gol çdo 3 takime në La Liga.

FAKTORI KSAVI – Pankina ka pasur gjithashtu ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në këtë 2023 të shkëlqyer. Ksavi ka ndryshuar modul për të luajtur me katër mesfushorë. Ideja ka dalë në mënyrë perfekte dhe për momentin është skema bazë e skuadrës me vetëm dy sulmues. De Jong e Buskets kanë krijuar një dyshe si dikur Ksavi e Iniesta.

EFEKTI I SUPERKUPËS – Të fitosh të ndihmon të ecësh gjithnjë përpara. Te Barcelona e dinë fare mirë, sepse nëse katalanasit po marshojnë në La Liga, një ndikim ka pasur në këtë fillimviti edhe suksesi në Superkupën e Spanjës. Triumfi në finale me Realin i ka dhënë vetëbesim skuadrës dhe kjo është parë si e artë në vazhdimësi.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"