Barça e mallkuar, 3 vjet pa mundur asnjë kampion! Suksesi i fundit ndaj Juves në 2020-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 19:58

Barça e mallkuar, 3 vjet pa mundur asnjë kampion! Suksesi i fundit ndaj Juves në 2020-ën

Guri i vërtetë me të cilin do të matet niveli i Barcelonës në këtë sezon është Liga e Kampioneve. Katalanasit iu rikthyen titullit në La Liga vitin e kaluar, por kjo nuk mjaftoi për të hequr shijen e keqe që ka lënë Europa në këto vitet e fundit.

BARCA

Ka kaluar një kohë e gjatë që kur “blaugranat” nuk kanë arritur të maten në Kontinentin e Vjetër. Ndoshta, që nga rrëzimi në “Anfield” në gjysmëfinalet e sezonit 2018- 2019. Ajo ndeshje ishte një pikë kthese në paraqitjen e Barçës në kontinent. Me shumë gjasa ishte fillimi i tatëpjetës së Barcelonës. Por shifrat e katalanasve janë edhe më zi, nëse analizohen me hollësi. Katalanasit nuk kanë mposhtur një fitues të ligave kombëtare jashtë shtëpisë këto tri vitet e fundit. Suksesi i fundit në transfertë ishte në fazën e grupeve të Champions-it 2020-‘21 kundër Juventusit. Në atë kohë, Ronald Kuman ishte në stolin e Barçës. Që nga ajo ditë, çdo vizitë te një kampion ka përfunduar keq për katalanasit. Si në Champions ashtu edhe në Europa League daljet e fundit të Barcelonës kanë qenë traumatike. Benfika, Bajerni i Mynihut – në dy raste – Interi (të tria në Champions) dhe Mançester Junajtidi (Liga e Europës) e kanë mposhtur Barcelonën me shumë lehtësi kur e kanë pritur në shtëpi.

PORTO, PËR TË THYER TERSIN – Me këtë rezyme, vizita në Porto të mërkurën paraqitet si një mundësi e mirë për katalanasit për të shkundur disa komplekse, për të thyer një mallkim që zgjat prej tri sezonesh në kompeticionin elitar për klube në Europë. Skuadra portugeze nuk po kalon momentin e saj më të mirë – humbi “Klasiken” e futbollit portugez të premten – ndërsa Barça ka disa tregues që ftojnë optimizëm. Imponimi në një fushë me traditë si “O Dragao” do të ishte hapi i parë për të ndërtuar një ndryshim në trend. Për më tepër, do të ishte një hap i rëndësishëm për kalimin në 1/8-at e finaleve që është një domosdoshmëri në këtë sezon.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"