Barbosa frymëzon Kukësin pas dopietës ndaj Laçit: Shënoj unë dhe shpëtojmë
Gabriel Barbosa rik thehet ai që të gjithë prisnin dhe shpresonin te Kukësi, pikërisht në momentin kur skuadra ka më shumë nevojë për të. Me dopietën ndaj Laçit, sulmuesi brazilian shkon në kuotën e pesë golave dhe ngjitet në krye të listës së golashënuesve në skuadrën verilindore, në një kohë kur thuajse e ka nisur pjesën më të madhe nga stoli në përballjet e fundit.
Në intervistën e dhënë dje ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ai nuk kërkon të bëjë polemika, por pohon se është gjithnjë gati sa herë skuadra dhe trajneri ka nevojë.
24-vjeçari shpreson të vazhdojë të ndihmojë Kukësin edhe në tri ndeshjet e mbetura për të siguruar qëndrimin në elitë. Edhe pse në fund të sezonit i mbyllet marrëveshja me klubin, Barbosa “driblon” në përgjigjet që jep, duke lënë hapësira edhe për ndonjë aventurë me ndonjë skuadër tjetër në futbollin shqiptar.
Gabriel, si ndiheni pas dopietës që shënuat ndaj Laçit?
Ishin dy gola të rëndësishëm për ekipin tonë. Jam i lumtur që na ndihmuan për të garantuar tri pikët, por shpresoj të shënoj edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme.
A keni një dedikim për këto gola?
Gjithmonë më pëlqen t’ia kushtoj qëllimet e mia familjes sime. Ata janë pjesa që më mbështesin çdo ditë dhe më japin këshillat më të mira, që të përpiqem gjithmonë të eci përpara.
Sa të rëndësishëm ishin golat në aspektin moral, kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i kampionatit?
Është gjithmonë e rëndësishme për një sulmues të shënojë gola. Jemi duke luftuar, kanë mbetur vetëm tri ndeshje dhe duam ta përfundojmë vitin në elitë.
A ishin këto gola një mesazh për trajnerin Hallaçi, që nuk po ju aktivizon si titullar?
Unë gjithmonë jap maksimumin në seancat stërvitore dhe ndeshje. Nuk jam unë që i përcaktoj titullarët. Mendoj se trajneri ka arsyet e tij, por unë jam gjithmonë në dispozicion për të luajtur. Edhe trajneri e di këtë.
Ndeshja e radhës është me Bylisin në transfertë, si e parashikoni duelin me rivalin direkt për mbijetesë?
Është gjithmonë e vështirë të luash në shtëpinë e tyre, por ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Duhet të marrim pikë patjetër. Nuk do të jetë një rezultat i mirë nëse ata e fitojnë këtë ndeshje.
Në fund të këtij sezoni ju skadon kontrata me Kukësin. Do të qëndroni sërish apo do të shihni një tjetër aventurë?
Unë jam duke u fokusuar vetëm te tri ndeshjet e fundit. Kemi një objektiv këtu në Kukës dhe nuk do të mendojmë për asgjë tjetër, deri në arritjen e qëllimit.
Nëse nuk do të vazhdoni me Kukësin, do të preferonit të luanit me një ekip tjetër në Shqipëri?
Siç e thashë, objektivi i vetëm tani për tani është të qëndrojmë në Superiore, nuk po mendoj ende se çfarë do të bëj më vonë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"