Barazon rekordin e Kafusë dhe Dungës/ 11 herë kapiten, Tiago Silva: Këtë herë Brazili nuk do të dështojë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 11:14

Barazon rekordin e Kafusë dhe Dungës/ 11 herë kapiten, Tiago Silva: Këtë herë Brazili nuk do të dështojë!

Për Tiago Silvën kjo kundër Koresë së Jugut do të jetë ndoshta sfida më e rëndësishme e karrierës së tij në kombëtaren amerikano-jugore. Mbrëmjen e sotme mbrojtësi 38-vjeçar do të mbajë shiritin e kapitenit për të 11-ën herë në historinë e një Kupe Bote, duke barazuar kështu dy legjenda si Markos Kafu dhe Karlos Dunga. Ky fakt do të përbëjë një krenari të madhe për lojtarin e Çelsit, i cili garanton tifozët dhe popullin brazilian se ndryshe nga Botërori 2014 dhe 2018, këtë herë “Seleçao” nuk do të dështojë:

TIAGO SILVA

“Për mua do të jetë një krenari që të mbaj shiritin e kapitenit, por mbi të gjitha që të vazhdoj të jem protagonist në këtë Kupë Bote. I mbaj mend mirë të gjitha ndeshjet e mia si kapiten… Në 2010-ën luajta një ndeshje dhe u ktheva në shtëpi, edhe në 2014 dhe 2018-ën gjithashtu.

Por këtë herë as unë dhe as Brazili nuk do të dështojmë, por jemi të bindur se do t’i shkojmë deri në fund kësaj Kupe Bote. Këtu jemi të gjithë në një anë për të luftuar dhe për të evituar çdo lloj gabimi. Kjo nuk do të thotë se nuk e respektojmë kundërshtarin, përkundrazi. Koreja e Jugut nuk do të jetë aspak e gatshme që të dorëzohet lehtë.

E shkatërruam 5-1 në miqësoren e qershorit? E vërtetë, por një miqësore nga një ndeshje me eliminim direkt ndryshon shumë gjëra. Koreja do të jetë një kockë e fortë, pasi ka futbollistë që luajnë në mjaft prej klubeve me të mëdha të Europës dhe një lider si Son. E njoh mirë Sonin, i vetëm mund të bëjë çmendurira, por këtë herë i them se do të fitojmë ne.

Cila është pika tjetër e fortë e aziatikëve? Vështirësia për të shqiptuar emrat e tyre”, e mbyll me batutë Tiago Silva, teksa të gjithë gazetarët e pranishëm nisën të qeshnin së bashku me mbrojtësin dhe trajnerin e Brazilit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"