Barazimi para 36 viteve, Tirana u hakmor për derbin kur Sulejman Mema la futbollin: Kur nuk ‘rrahëm’ Partizanin pa portier…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 15:23

Barazimi para 36 viteve, Tirana u hakmor për derbin kur Sulejman Mema la futbollin: Kur nuk ‘rrahëm’ Partizanin pa portier…

Partizani deri para këtij derbi të fundit ndaj Tiranës krenohej me atë të luajtur në vitin 1986, kur barazonte bardheblutë me një lojtar më pak dhe me ish-mesfushorin Genc Tomori, në portë. Drejtori aktual i Akademisë Partizani, në një intervistë të katër viteve më parë, saktësisht të datës 28 shtator 2018, tregonte me detaje çfarë ndodhte në atë ndeshje, pas së cilës Sulejman Mema, legjendë e Tiranës, vendosi të lërë futbollin aktiv.

Sulejman mema Tirana

“Një derbi të vitit 1986, ku në fund Partizani doli kampion, është më i bukuri për mua. U luajt në stadiumin “Dinamo”. Me daljen me karton të kuq të Mustës në fund të pjesës së parë, kur rezultati ishte 1-0 për Tiranën, në portë hyra unë. Në vijim ne e barazuam ndeshjen dhe patëm mundësi ta fitonim, pasi na anuluan një penallti.

Kjo ishte një kënaqësi e madhe, pasi luajtëm një pjesë loje me 10 vetë dhe me mua në rolin e portierit. Asokohe nuk u mor vesh kjo gjë, por mesa më kujtohet, Sulejman Mema u tërhoq pas asaj ndeshjeje. Më thanë që Mema ishte shprehur: ‘Kur nuk ‘rrahëm’ Partizanin pa portier, më mirë po e lë futbollin’. Madje, këtë gjë ma ka konfirmuar edhe vetë Sula (Mema), që pas asaj ndeshjeje e la futbollin e luajtur”, tregonte Tomori. Tashmë pas 36 vitesh, Tirana më në fund duket se e ktheu nderin në vend. Tani i mbetet të fitojë titullin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"