Barazimi ndaj Erzenit, Nikaj: I dhuruam golat, nuk duhet të mbronim rezultatin
Samuel Nikaj “skanon” barazimin në Shijak. Trajneri e gjen gabimin te vetja, ndërsa pranon që duhet të ndryshonte skemë pas avantazhit të dyfishtë. Megjithatë, numri një i pankinës së Burrelit nuk dorëzohet. Ai mendon se kreu mund të rimerret të dielën, kur do të matin forcat me Dinamon. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani mendon se ia dhuruan pikën Erzenit.
“Sa i përket lojës, e nisëm shumë mirë, por kur dukej se gjithçka ishte në favorin tonë dhe po kërkonim golin e 3–të, dhuruam një gol që na vendosi në presionin e pikëve. Pjesa e dytë ishte për t’u harrur, pasi bëmë çdo gjë gabim. Nuk menaxhuam lojën duke kontrolluar topin, por menduam vetëm për të mbrojtur rezultatin. Kjo ka funksionuar në ndeshjen me Vorën, por jo në këtë ndeshje. Përsëri dhuruam një 11-metërsh dhe ishim me fat që në fund nuk humbëm krejt takimin. Përballja ishte e një shkalle vështirësie të lartë, pasi Erzeni është ekip fushe.
Ne patëm edhe një lodhje psikologjike, pasi derbi me Korabin na konsumoi psikologjikisht, sepse ishim të dënuar për fitore. Një pjesë e mirë e lojtarëve, rreth 70%, problemin më të madh e kanë psikologjik. Ata nuk janë mësuar të luajnë për objektiva kaq madhorë, edhe pse kanë potencial si lojtarë në aspektin fizik e tekniko-taktik. Tani, kjo sfidë duhet hedhur pas krahëve dhe të fokusohemi te finalja e radhës me Dinamon, që edhe pse në letër janë favoritë, duke u nisur nga tradita. Por, kjo nuk do të na pengojë ne të japim maksimumin për t’u rikthyer te fitorja, pas i kemi të gjitha kualitetet për ta arritur atë”, përfundoi numri një i pankinës matjane.
DRITAN KURTI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"