Barazimi me Tiranën, Pejiç: Humbëm dy pikë, ishim shumë nervozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2016 | 17:52

Barazimi me Tiranën, Pejiç: Humbëm dy pikë, ishim shumë nervozë

Pero Pejiç këmbëngul që Kukësi humbi dy pikë në kryeqytet. Trishtimi në kampin verilindor është shtuar prej faktit që nuk ruajtën dot avantazhin, gjë që e pohon edhe lideri i sulmit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kroati e cilëson të pakuptimtë që skuadra u bë nervoze, pasi humbi kontrollin e topit.

Gjithsesi, “bomberi” i kuksianëve nuk e bën dramë as barazimin me Tiranën dhe as atë me Vllazninë, pasi në fund të fundit dy pikë në transferta nuk janë keq në start. Edhe pse janë 4 pikë larg kreut, Pejiç deklaron se ata do të jenë pretendentë për titullin, ndërsa frymëzimin do ta marrin pikërisht nga finalja e Superkupës.

Pejic vs Tirana

Si ju duk ndeshja me Tiranën?

E patëm të vështirë ndaj Tiranës, kundërshtari luante ndeshjen e parë në shtëpi dhe vinte pas dy barazimeve pa gola, ndaj motivimin e kishin të lartë. Megjithatë, mendoj se humbëm dy pikë në kryeqytet, pasi ishim dy herë në avantazh dhe shanset që t’ia dilnim i kishim ne në dorë. Ky është mendimi im.

Çfarë nuk shkoi te Kukësi, përse s’fituat dot?

S’e di, por ndoshta për faktin se ne nuk ishim agresivë në këtë ndeshje. Humbëm shumë topa dhe kjo na shtoi nervozizmin. Gjë që nuk duhet të ndodhte.

Kaluat dy herë në avantazh, kaq e vështirë ishte që të ruanit rezultatin?

Pikërisht për këtë më vjen shumë keq, që nuk e ruajtëm dot avantazhin. Ndaj edhe jemi kaq të trishtuar.

Si është atmosfera në Kukës pas kësaj jave?

E mirë. Ky është futbolli, duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje. Ta hedhim prapa krahëve dhe të fillojmë të përgatitemi dhe të mendojmë për Laçin, kundërshtari i radhës.

Kukesi 2016

Mos ndoshta klubi ka gabuar me largimin e Malotës dhe Micit?

Për Malotën dhe Micin unë nuk dua të flas, pasi ai është një vendim i klubit dhe i të dy lojtarëve.

Ju prishën punë dëmtimet e Shametit, Arbrit dhe Lenës në lojë?

Po, ne kemi të dëmtuar Shametin, Arbrin dhe Lenën, të cilët janë lojtarë të rëndësishëm në skuadrën tonë, por kjo është një anë e futbollit, për të cilën ne s’mund të bëjmë dot asgjë.

Nëse do të ktheheshit në kohë, në këto 3 javë çfarë do të ndryshonit?

Të mos linim pikë ndaj Vllaznisë dhe Tiranës. Por koha nuk mund të kthehet pas, ndaj e vetmja gjë që na mbetet, është që t’i minimizojmë gabimet në vazhdim.

Të barazosh në transferta, mund të quhet dramë?

Nuk është dramë, pasi ne kemi luajtur dhe nuk kemi humbur asnjë. Kemi luajtur kundër dy skuadrave të mira dhe në transfertë dhe kemi barazuar. E mira është që të fitohet çdo ndeshje, por në futboll ka tri rezultate.

Çfarë përshtypjesh keni për punën e bërë nga stafi teknik?

Ne kemi një staf të mirë dhe ata po bëjnë trajnim të mirë dhe gjithashtu punë të mirë me skuadrën.

Pejic penallti Tiranes

Është Kukësi me këtë skuadër konkurrent për titull?

Pse jo? Finalja e fituar kundër Skënderbeut në Superkupë mund të kthehet në frymëzim për të gjithë. Mjafton të shohësh atë ndeshje dhe e kupton që shanset ekzistojnë që të luftojmë edhe për titull. Janë për t’u luajtur edhe 33 javë të tjera, ndaj gjithçka mund të ndodhë. Ajo që më jep shpresë është fakti që edhe kur nuk kemi fituar, ne kemi bërë lojë në kompleks të mirë.

Çfarë duhet të rregullojë Kukësi që të bëjë autokritikën?

Ne duhet të mendojmë dhe mendojmë pozitivisht, të përgatitemi mirë dhe të luajmë me zemër. Kemi një skuadër të mirë, ndaj fitoret e suksesi do të vijnë.

Si e shikoni ndeshjen me Laçin?

Unë personalisht i marr të gjitha ndeshjet seriozisht dhe respektoj çdo kundërshtar kushdo qoftë, por them që ne nuk do humbim pikë dhe shpresoj që kjo ndeshje do të jetë shumë e mirë.

Do shkoni atje vetëm për fitore, mendoni se do të shënoni edhe në Laç?

Nëse do të jesh kampion, duhet të shkosh në çdo ndeshje vetëm për ta fituar atë, kështu që unë shpresoj që kjo të ndodhë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"