Barazimi me Shënkollin, Gjyla dhe Canka ia vënë fajin… fushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 19:25

Barazimi me Shënkollin, Gjyla dhe Canka ia vënë fajin… fushës

Lushnja barazoi të sh tunën në fushën e Shënkollit, por për trajnerin Ilir Gjyla është njësoj si një humbje. Për “Panorama Sport” ai thekson se mbrojtja vijon të bëjë gabime, pasi është pa lider, por shprehet gjithashtu i kënaqur për lojën burrërore të të tijve në një fushë jashtë kushteve teknike. 

Lushnja

GABIMET – “Ishte një barazim që absolutisht nuk na pëlqen. Do ta quaja humbje derisa në këtë sistem pikësh njëshi me treshin janë shumë larg. Edhe pse kishim 5-6 mungesa që tanimë dihen, shkuam në Shënkoll për ta fituar ndeshjen, sepse pretendojmë të hyjmë në Superiore. Por janë një sërë faktorësh që ndikojnë. Kemi bërë dy gabime elementare në mbrojtje, por gjatë gjithë kohës e kemi dominuar takimin, si në kontroll topi, ashtu edhe në pasime dhe në të gjitha drejtimet. Bëjmë gabime trashanike në mbrojtje, na është bërë “gangrenë”, jemi pa lider në mbrojtje dhe aktualisht edhe në skuadër”, thotë fillimisht trajneri Gjyla.

FUSHA SKANDALOZE – Numri 1 i stolit lushnjar ngre më tej shqetësimin e fushës ku u luajt ndeshja. “Loja e këtyre të rinjve ishte burrërore. Në ato vende, në ato cepa të fushës, u munduam të luanim. Kur na lanë të luanim futboll, luajtëm dhe bëmë ato dy gola. Fusha e Shënkollit nuk ka lidhje fare me një fushë futbolli. Nuk ishte as për ne dhe as për kundërshtarin. Kur shkuam ne, fusha ishte e përmbytur, me kalimin e lojës takat e lojtarëve e bënë llucë, por ishte për të dyja ekipet. Ka edhe faktorë të tjerë që e ngarkojnë lojtarin nga ana psikologjike, nuk mund të merresh gjithë lojën me gjykimin. Jemi munduar t’ua mbushim mendjen futbollistëve të mos shohim as majtas e as djathtas. Gjithsesi, ne jemi në stol dhe irritohemi, jo më futbollisti në fushë, kur shikon që i hyjnë në hak”, ka deklaruar në fund trajneri Gjyla.

CANKA – Për barazimin në Shënkoll ka folur edhe kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka, i cili po mban shiritin në mungesë të Sefës. Ai ka komentuar edhe momentin e golit të parë, duke thënë se ishte Ibrahimllari që e preku topin i fundit. “Barazimi në Shënkoll ishte më se i merituar, por mendoj se duhej të bënim diçka më shumë. Në një fushë që vetëm top nuk mund të luhej, ekipi reagoi mirë pas disavantazhit të dy golave. Arritëm të barazonim dhe kishim mundësi edhe të fitonim. Terreni ndikoi në rezultat, ashtu si dhe mungesat që po na penalizojnë javë pas jave. Duhet të japim maksimumin në ndeshjet e radhës deri në fund të vitit, që të ngjitemi në tabelë. Pogradeci dhe Apolonia ishin shumë prapa nesh, ndërsa tani janë para. Në futboll situatat përmbysen shpesh, ndaj dhe rikuperimi ynë është diçka e arritshme. Tani të mendojmë për derbin me Apoloninë, që e luajmë në fushën tonë”, theksoi Canka.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"