Barazimi historik me Gjermaninë, Shqipëria i habiti me “elektrifikimin e fshatit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2017 | 21:31

Barazimi historik me Gjermaninë, Shqipëria i habiti me “elektrifikimin e fshatit”

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Nga e diela në të hënë, por me diferencë jo një javë, por 50 vjet… Po, gjysmë shekulli nga 17 dhjetori 1967, kur Shqipëria barazoi 0-0 me RF Gjermane. Si kujtohet sot, cila ishte atmosfera në prag të saj? Një popull në këmbë për aktin heroik të Shkurte Pal Vatës dhe në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti në Dibër e Librazhd ku është shpërngulur e qëndron e gjithë udhëheqja.shqiperi gjermani1

Pastaj ndeshja: Nga mungesa e Mylerit e Bekenbauerit, te baneri “Elektrifikimi i plotë i fshatit…”, që habiti gjermanët. Befasitë e Boriçit, goli i mohuar i Gjinalit, festa në “Qemal Stafa” dhe eliminimi surprizë i Gjermanisë. Reagimi i shtypit sportiv botëror dhe një foto e rrallë e publikuar në Muzeun e Dortmundit. Çfarë bëjnë sot, ku janë protagonistët e sfidës monumentale të asaj kombëtareje?

shqiperigjermani1

NGA DORTMUNDI NË TIRANË

Duke iu rikthyer takimit Gjermani-Shqipëri (6-0), në prillin e kaluar, të nesërmen, kombëtarja pasi ka lënë Dortmundin, ka zbarkuar në Itali, për të qëndruar 24 orë në kryeqytetin italian, pasi mungonin linjat ajrore me Shqipërinë. Futbollistët kanë shfrytëzuar “lirinë” duke u ndarë në grupe, dikush në mesditë ka ndjekur derbin Roma-Lacio, ndërsa të tjerë kanë përfunduar në kinema. Ndryshe, trajneri Myslym Alla ka kërkuar dhe ka takuar Naim Kyeziun, ish-lojtari i Romës. Një takim që nuk është pëlqyer nga qeveritarët shqiptarë, reflektuar ky qëndrim pas kthimit dhe debateve në analizat vijuese me drejtues të FSHF-së.

SHKURTE PAL VATA DHE TËRMETI TRONDITËS

E tillë ka qenë situata, që i parapriu takimit Shqipëri-RF Gjermane. Në aksionin e rinisë, për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në sektorin Dushk, gjatë punimeve në muajin tetor dëmtohet dhe, pas disa javëve, ndahet nga jeta Shkurte Pal Vata, një vajzë 17-vjeçare, nga Dukagjini. Vdekja aksidentale e saj u propagandua duke e kthyer në një personazh mediatik me jehonë të madhe për kohën.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një ngjarje tronditëse ishte ajo e 30 nëntorit kur një tërmet i fuqishëm goditi zonat Librazhd e Dibër, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 persona dhe u plagosën 174 të tjerë. Tashmë e gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë duke u solidarizuar me familjet e dëmtuara. Qeveria dhe udhëheqësit me në krye Enver Hoxhën vizituan fshatrat dhe pati një mobilizim të madh mbarë popullor.

shqiperigjermani

NË SHQIPËRINË E FUNDVITIT SPORTIV DHE ARTISTIK

Nga vendimi i qeverisë, ai i 5 dhjetorit mbi elektrifikimin e të gjithë fshatrave të Dukagjinit, Kelmendit e Rrethit të Shkodrës, shkojmë te sfida në volejboll për meshkuj, Dinamo-Partizani i Beogradit 3-2 në Tiranë. Pastaj çelja e anketës tradicionale “5 Sportistët më të mirë” dhe Dinamo e Vllaznia (kjo e caktuar në Kupën Ballkanike) janë finaliste të Kupës së FSHF-së. Studenti fitoi Kupën e gazetës “Luftë- tari”, të rinjtë e Vllaznisë atë të “KQ BRPSH”, ndërsa Ylli Kuq i Pogradecit merr Kupën e “Sportit Popullor”.

Në Turqi mbyllet Kampionati i 7-të Europian i Volejbollit për Meshkuj dhe Shqipëria është e fundit. Ai dhjetor ka njoftimin historik në Sportin e 19 dhjetorit se, më 15 janar 1968, do të hapet Shkolla e Mjeshtërisë Sportive. Bashkë me to edhe disa evenimente artistike, si filmat “Duel i Heshtur”, “Ngadhnjim mbi vdekjen” shumë të ndjekur nga qytetarët asokohe. Ndërsa botën muzikore e përfshin “Sergeant Pepper’s lonely hearts club band”, i konsideruar disku më i bukur i “Beatles”.

shqiperi gjermani9

DREJT PËRBALLJES, NUK VIJNË BEKENBAUER E MYLER

Para takimit të 17 dhjetorit Shqipëri-RF Gjermane renditja ishte: Jugosllavia 6 pikë (3 /1/ 0/ 7-3; RF Gjermane 4 pikë (2/ 1/ 6-1); Shqipëria: 0 pikë, 0-10. Nga informacioni i ardhur në FSHF, skuadra gjermane kishte grumbulluar këta futbollistë: H. Volter, H. Hotges, R. Libuda, M. Maglitz, V.Shulc, H. Siemensejmer, V. Veber, V. Overat, J. Lohr, H. Vogts, G. Netzer, P. Mayer, S. Mayer, G. Myller, B. Patzke, K. Fishtel, V.Ferdinat, H. Vimler, S. Gygiet, G. Volkert, H. Hornig, H. Kupert.

Nga formacioni i prillit, Helmut Shën merr vetëm gjashtë lojtarë, mbrojtësit Patzke, Hotges, Shulc Veber, mesfushorin Overat dhe sulmuesin Lohr. Nuk vijnë portieri Tillkovski, Bekebauer, Dorfel, Ulsas, Myler. Ndërkohë, vjen portieri Horst Volter i Eintracht B. e para e tij me kombëtaren, lojtarët Peter Meyer dhe Siegried Held të Borusia Dortmund, sulmuesi Hans Kupers i FC Nuremberg dhe në mesfushë duke mos marrë Zeler, bashkë me Overat vjen Gunter Netzer nga Dortmundi.

shqiperi gjermani11

NDRYSHON EDHE SHQIPËRIA…

Edhe Shqipëria ka të tjerë lojtarë nga ndeshja e prillit dhe ajo e fundit me Jugosllavinë: Nga Dortmundi nuk do të luajnë Janku, Frashëri, Xhaçka, Hyka Ishka, ndërsa nga takimi me Jugosllavinë nuk do të jenë: portieri Rama, G. Xhafa, Andoni. Kundër RF Gjermane, Boriçi dhe Ilia Shuke, ndihmësi i tij do të aktivizojë dy emra të rinj: në portë Koço Dinella dhe bashkë me të edhe mbrojtësi i krahut të djathtë Gjinali, të dy të Dinamos. Në qendër të mbrojtjes nuk lëviz Jorgaqi, rikthen Kazanxhiun, rikonfirmon Zhegën, duke mbajtur stabël e të pandryshuar bllokun tradicional me Vason, Rragamin, Memën e Panon, protagonistë të të gjitha takimeve, ndërsa shiritin e kapitenit e mbajti Shllaku që në Dortmund, për arsye shëndetësore, nuk udhëtoi.

shqiperi gjermani3

NGA SURPRIZA DINELLA…

Një ditë para takimit, ndërsa ishin të grumbulluar në hotel “Donika” në Tiranë, në dilemë midis Jankut e Ramës (ky i fundit edhe i dëmtuar), Boriçi i ka shtangur të gjithë kur ka shpallur formacionin duke deklaruar se në portë do të ishte Dinella, një i ri 20-vjeçar, pa eksperiencë. Vetë Koço e kujton për “Panorama Sport”: “Nuk kisha asnjë të dhënë lidhur me formacionin. U befasova, nuk e prisja as unë dhe skuadra kur trajneri lexoi listën dhe tha emrin tim. Por edhe të Gjinalit. Mikel Jankun e adhuroja dhe u ndjeva në vështirësi që, në atë takim, ai do të ishte rezerva ime”.

shqiperi gjermani8

…TE GJINALI BEFASUES

Nuk do të ishte e para, as e fundit e Boriçit që, me zgjedhjet e papritura të orëve të fundit, dotë befasonte jo vetëm mjedisin shqiptar, por edhe atë kundërshtar. Në rastin konkret befasoi gjermanët si në ’67-ën, por edhe në vitin 1971 me mbrojtësin Ziu si sulmues i majtë. Ideja për të marrë në kombëtare Fred Gjinalin, mbrojtësi anësor energjik i Dinamos, erdhi për shkak të disa mungesave si ato të Frashërit e M. Gjikës, të dëmtuar. I pagrumbulluar, Gjinalin e kanë njoftuar vetëm pak ditë para takimit që të paraqitet në Konvaleshencë. Me tipare sulmuese dhe gjuajtje të fuqishme, dalje në sulm nga krahu, ishte Skënder Jareci që si konsulent ia pat propozuar Boriçit këtë lojtar. Ai u afrua pa zhurmë, ndonëse pa asnjë minutë në miqësoret e luajtura ndaj të rinjve të Partizanit e Vllaznisë e vendos titullar në formacionin antigjerman.

 

RFGJ, NË TIRANË PËR HERË TË PARË

Nga finalja në “Uembli”, deri para takimit me Shqipërinë, RFG kishte zhvilluar dhjetë ndeshje. RFGJ Marok 5-1 miqësore; 1-0 me Bullgarinë; 6-0 me Shqipërinë; Jugosllavi-RF Gjermane 1-0, RFGj-Francë miqësore 5-1, RFGJ-Jugosllavi 3-1 dhe e fundit me 22 nëntor në Bukuresht, Rumani- RFGJ 1-0 (miqësore). Në këtë takim, RF Gjermane luajti me Volter, Patzke, Shulc, Veber, Bekenbauer, Overat, Libuda, Meyer, Zeler, Lohr, Myller. Në Tiranë, Gjermania e futbollit vinte për herë të parë, ndonëse Overat e Veber me Këlnin kishin qenë më 1964 për Kupën e Kampioneve 0-0 me Partizanin në “Qemal Stafa”.

shqiperi gjermani4

Ndërkohë, po për Kupën e Kampioneve, ndërsa shorti për edicionin 1967- ’68 kishte vënë përballë Dinamon e Tiranës me Eintracht te Braunshvejkut, ky takim nuk u zhvillua, për tërheqje në çastet e fundit të skuadrës shqiptare. Kështu, ato 90-të minuta të 17 dhjetorit midis përfaqë- sueseve, përveç kuriozitetit të madh, ishin jo vetëm mediatike, por decizive dhe ndiqeshin me shumë interes nga Europa, në veçanti nga Jugosllavia, pasi rezultati i saj ndikonte direkt në kualifikimin “Italia ’68”.

Të gjithë të bindur se RF Gjermane ishte normalisht favorite, askush nuk e kishte menduar se “Qemal Stafa” kishte qenë një herë dëshmitar i një rezultati dhe eliminimi të bujshëm të Irlandës së Bestit nga Botërori “Angli ’66” pas barazimit spektakolar 1-1. Këtë herë impianti modest kryeqytetas do të ndëshkonte një tjetër formacion të madh, Gjermaninë nënkampione të botës.

shqiperi gjermani7

PUBLICITETI QË HABITI GJERMANËT

Të mësuar tashmë me publicitete sportive, ato të markave të njohura, gjermanët janë befasuar kur në stadiumin kombëtar, në mjediset e brendshme e të jashtme të tij, janë ndeshur me banera tipikë me mesazhe socialiste si “Edukimi fizik është pjesë e edukimit komunist”; “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”; “Rroftë Komiteti Qendror i PPSH”; “Mbrojtja e atdheut është detyrë patriotike” etj.

Por, ajo “Elektrifikimi i plotë i fshatit më 1971 vepër madhështore e Partisë”, e vendosur përgjatë tribunës përballë, i ka bërë mjaft kuriozë. Duke e konsideruar një mesazh të madh tifozërie, miqësie apo diçka tjetër, gjithmonë sportive, janë habitur kur përkthyesi dhe shoqëruesi i tyre, stomatologu i mirënjohur Pano Lula, u ka treguar se për çfarë bëhej fjalë.

shqiperi gjermani6

BILETAT, VETËM ME AUTORIZIM

Kështu ka funksionuar në ato vite, kur luhej një takim i rëndësishëm ndërkombëtar, jo vetëm në futboll, por edhe në tjera sporte. Për Gjermaninë, të gjeje një biletë ishte e pamundur. Tregu i zi pak funksiononte dhe biletat jepeshin me autorizim në institucione, ndërmarrje për zyrtarë, drejtues dhe punonjësit e dalluar. Çmimi dyfishohej, nga 30 tribuna shkonte në 60 lekë. Kryesisht në tribunën A dhe B ishin zyrtarët e lartë, ose familjarët e tyre. Pak bileta jepeshin për futbollistë, madje Shllaku kujton se, edhe disa orë para takimit, futbollistët endeshin zyrave të FSHF-së për t’u siguruar bileta njerëzve, miqve të tyre. Për gazetarët, radiokronistët, telekronistët ishin kabinat. Një pjesë e spektatorëve qëndronin në këmbë në tribunën qendrore, po kështu edhe mbi stola të vegjël në radhën e fundit në tribunën përballë.

shqiperi gjermani5

E diel, 17 dhjetor 1967,

Stadiumi “Qemal Stafa” ora 14:00

Shqipëria: Dinella, Gjinali, Jorgaqi, Kazanxhi, Mema, Vaso, Rragami, Shllaku, Bizi, Pano, Zhega. Trajner: L. Boriçi.

RF Gjermane: Volter, Patzke, Veber, Shulc, Held, Hotges, Overat, Netzer, Kupers, Meyer, Lohr. Trajner: H. Shën.

Arbitër: Ferdinand Marshal, Franc Verer, Jozef Titel (Austri).

Kornet: 3-3

Spektatorë: Mbi 20 mijë

Terreni: Pak i rënduar, kohë e keqe me shi të imët

Ngjyrat: Shqipëria kuq e zi, RF Gjermane bardhezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"