Vetëm barazim në Ohër, Teuta ndal në miqësore Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2014 | 9:09

Vetëm barazim në Ohër, Teuta ndal në miqësore Tiranën

Tirana2Tirana barazon me Teutën. Miqësorja e pestë dhe e fundit në Ohër për bardheblutë e Maganit është mbyllur me shifrat 0-0. Takimi i luajtur dje, në orën 17:30, në stadiumin e qytetit, “Biljani Izvori”, u mbyll me rrjeta të paprekura. Kryeqytetasit kanë zhvilluar një lojë të mirë në kompleks, por kanë hasur vështirësi për të gjetur hapësira përballë një kundërshtari që është mbrojtur mirë e me forca të shumta. Magani preferoi të luante me 11-shen më të mirë nga minuta e parë, teksa vlen të theksohet se dje debutoi edhe Debatik Curri, një ndër blerjet më të goditura në këtë merkato vere. Qendërmbrojtësi dëshmoi vlera që në takimin e tij të parë si bardheblu, ndonëse në të 35-n ai shkaktoi edhe një penallti, që nuk u konkretizua nga Pepa i Teutës. Ekipi durrsak, nga ana tjetër, bëri rezistencë deri në fund, por jo vetëm kaq, pasi Teuta pati gjithashtu rastet e veta, por portieri Frashëri e ruajti të paprekur katërkëndorin.

TIRANA-TEUTA 0-0
GOLA: S’ka TIRANA: Frasheri, Kërçiku, Curri, Muça, Idrizaj, Bulku, Karabeci, Malaj, Morina, Ndikumana, Bushiç; Trajner: Gugash Magani (U aktivizuan: Korreshi, Pashaj, Olaki, Peposhi, Vrapi, Sorra, Kalari, Gavazaj)
TEUTA: Rizvani, E.Magani, E.Hoxha, R.Hoxha, Premçi, Kotobelli, A.Hoxha, Ahmataj, Nika, Shabani, Deliallisi, Pepa; Trajner: Hasan Lika (U aktivizuan: Ulliri, Hyseni, Rezi)

Ndeshja Ndeshja nis qetë dhe me të dyja skuadrat që po mundoheshin që të fitonin terren. Bardheblutë kane qarkulluar topin, por duke krijuar shumë pak. Madje edhe ato pak raste që patën, nuk arritën që t’i shfrytëzonin. Atë që nuk e realizuan dot lojtarët e Tiranës, e bënë ata të Teutës. Sulmuesi lushnjar Brunil Deda pat një rast të artë, por atë e ndali vetëm shtylla. Pepa bëhet sërish protagonist duke fituar një 11-metërsh të shkaktuar nga Curri në minutën e 35-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar që u shkaktua në zonë. Stivi Frashëri ka bërë mrekullinë duke pritur gjuajtjen e sulmuesit të durrsakëve, duke mos e lejuar topin që të shkonte në rrjetë. Ky 45-minutësh u mbyll ashtu siç nisi. Në fraksionin e dytë, Tirana ka luajtur më mirë edhe pas disa lëvizjeve që Magani bëri në formacion, teksa aktivizoi lojtarë si: Korreshi, Pashaj, Olaki, Peposhi, Vrapi, Sorra, Kalari e Gavazaj. Një mundësi e Currit me kokë në të 55-n nuk u konkretizua dot. Afro 10 minuta më vonë ishte Tomislav Bushiç që kishte shansin perfekt për të zhbllokuar shifrat, por sulmuesi malazez nuk e shfrytëzoi siç duhet. Tirana e kërkoi golin e fitores deri në fund të këtij 90- minutëshi, por pa rezultat. U duk qartë se bardheblutë donin ta mbyllnin me një fitore këtë etapë të përgatitjeve në Ohër, por skuadra e drejtuar nga Hasan Lika ia bëri të pamundur një gjë të tillë.

MaganiMagani: Ekipi s’më bindi, Curri dëshmoi vlerat e tij
Gugash Magani në fund të ndeshjes nuk u shfaq fort i kënaqur nga performanca e të tijve. Trajneri i Tiranës priste diçka më tepër, megjithatë sqaroi se në këtë periudhë përgatitjesh gjithçka mund të tolerohet. “Nuk jam fort i kënaqur, mund të kishim bërë më shumë. Duhet të ishim treguar disi më konkretë përpara portës, por gjithsesi në këtë periudhë mund të falet gjithçka. Kjo ishte ndeshja e fundit në Ohër, ndaj rezultatin mund ta quaj të pranueshëm. Por ato që pashë sot, nuk dua që t’i shoh më dy javët e mbetura para startit të kampionatit”, tha fillimisht numri një i stolit për gazetën. I pyetur për Debatik Currin, i cili dje zhvilloi ndeshjen e parë si bardheblu, tekniku tha: “Është tjetër nivel, menjëherë dëshmoi vlerat e tij. Edhe pse nuk është në formën më të mirë fizike, pasi nuk ka shumë që ka nisur përgatitjet, në fushë më bindi”. Për trajnerin, dje ishte ditë e veçantë, pasi përballë si kundërshtar kishte edhe djalin e tij, Endrin, i cili e nisi ndeshjen si titullar për llogari të Teutës.

Dëmtimi në gju, Bakaj në tribunë
Elis Bakaj nuk ka luajtur në ndeshjen e djeshme kundër Teutës. Mesfushori, pas dëmtimit të lehtë që pësoi dje, ka provuar që të stërvitet sot paradite, por ka ndier shqetësim. Për pasojë ai e ndoqi seancën nga pankina. Bakaj mori një goditje në gju, por nuk ka asgjë serioze, pasi që sot pritet që ai t’i bashkohet sërish grupit. Ai nuk u aktivizua nga stafi teknik, i cili nuk dëshiron të rrezikojë. Në kushte të tilla, Bakaj e ndoqi ndeshjen si publik.

DREJTUESIT NË TRIBUNË
Të pranishëm në tribunë ishin edhe drejtuesit e skuadrës 24 herë kampionë të vendit, konkretisht Refik Halili dhe Julian Morina. Donatorët kishin udhëtuar për të ndjekur nga afër këtë performancë të skuadrës së Tiranës përballë Teutës, sfidë e cila nuk shkoi më larg se 0-0. Madje në fund të takimit ata biseduan me stafin teknik dhe lojtarët, ku i ofruan edhe një herë mbështetjen për këtë sezon që është në prag.
ADELA MERKO

TironaReportazh
24 orët e bardhebluve në Ohër
Zgjimi bëhet rreth orës 07:30. Pas shumë ditësh në kampingun e Ohrit, thuajse askush nuk e ka më problem mëngjesin e shpejtë. Futbollistët presin njëri-tjetrin në hollin e hotelit pasi kanë lënë dhomat ku qëndrojnë nga dy. Një tavolinë e shtruar u është rezervuar në restorantin e “Inex Goricas”. Stafi teknik në krahun tjetër e ka nisur mëngjesin më herët se skuadra. Në orarin kur futbollistët zbresin për të ngrënë, trajneri Magani dhe pjesëtarët e stafit të tij po konsumojnë kafenë. Nuk ka kohë për t’u zgjatur shumë. Minutat e qëndrimit në hotel janë të pakta. Pas mëngjesit, autobusi merr të gjithë kontigjentin bardheblu për ta dërguar në stadiumin e qytetit të Ohrit, aty ku zhvillohet seanca e parë stërvitore. Magani e ka përgatitur programin e ditës dhe fillimisht mbledh skuadrën në fushë për ta instruktuar dhe për të nisur më pas punën. Te Tirana, flitet pak tani dhe vrapohet shumë. Megjithatë edhe pse shumë ditë të grumbulluar në kampingun maqedonas, sërish bardheblutë ruajnë humorin në kuota të mira. Pas stërvitjes, sërish vjen kthimi në hotel. Dy orë në dispozicion për stafin dhe lojtarët para se të konsumohet dreka. Magani i lë të gjithë të lirë brenda ambienteve të hotelit. Disa lojtarë mendojnë të shfrytëzojnë liqenin, disa zgjedhin të flasin me familjarët në telefon, një tjetër mbyllet në dhomë për të pushuar dhe të shumtë janë ata që preferojnë barin e “Inex Goricas”. Dreka i rimbledh të gjithë. Në orën 13:30 restoranti vishet bardheblu. Pasi përfundon edhe kjo etapë e ditës, të gjithë duhet të rikthehen në dhomë për të pushuar. Orët në vazhdim duhen shfrytëzuar për rigjenerim. Lojtarët dhe stafi bëjnë të njëjtën gjë. Pasditja vjen shpejt dhe në orën 17:45 bardheblutë i rikthehen hollit për të pritur autobusin që vonon çdo ditë njësoj, nga 2 apo 3 minuta. Asgjë e veçantë, me përjashtim të ndonjë batute në shqip që i bëhet shoferit maqedonas që shoqëron bardheblutë nga hoteli në stadium dhe anasjelltas për vonesën e tij karakteristike. Seanca e pasdites sjell një tjetër program. Magani mendon të përgatisë taktikisht lojtarët e tij duke bërë llogari me kampionatin që po afron. Gjithçka shkon mirë me përjashtim të një dëmtimi të lehtë që pëson Elis Bakaj. Sulmuesi trembet nga fakti se ka marrë një goditje në gju, por asgjë serioze për të. Kthimi më pas në hotel bëhet në orën 20:15. Magani preferon të mos kthehet me skuadrën. Prej ditës së parë në kampingun e Ohrit, ka menduar të bëjë vrap dhe humbasë disa kilogramë. Kthimin preferon ta bëjë me vrap në një distancë që shkon deri në katër kilometra. Skuadra duhet të bëhet gati më pas në pak minuta dhe të rikthehet në restorant. Darka i ul të gjithë bashkë në një tavolinë. Në orën 21:00, pasi kanë mbyllur detyrimet, futbollistët janë të lirë. Në dhomën e masazheve nisin të shkojnë një e nga një. Të tjerët qëndrojnë në hollin e hotelit apo dhe në barin aty pranë për t’u marrë më së shumti me telefonat e tyre dhe për të luajtur me letra. Kështu kalohen dy orët e lira. Kur rikthehen në dhomë, para orës 23:00, shohin të vendosur në korridor një afishe të madhe me programin ditor për të nesërmen. Njësoj si skuadra, edhe stafi teknik i drejtohet dhomave të gjumit për të mbyllur një tjetër ditë të lodhshme përgatitore. E nesërmja vjen shpejt, me një program të ngjashëm e me të njëjtin orar zgjimi… aty rreth orës 07:30.
Marrë nga KF Tirana

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"