Barazim mes tensionit në Gjirokastër/ Tre lojtarë dalin me karton të kuq, arbitri tërbon Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 15:19

Barazim mes tensionit në Gjirokastër/ Tre lojtarë dalin me karton të kuq, arbitri tërbon Luftëtarin

AF Luftëtari e nis aventurën në Kategorinë e Dytë me një barazim 1-1 ndaj Përmetit në stadiumin e Gjirokastrës. Dy gola në pjesën e parë, tension, tre kartonë të kuq dhe në fund zhgënjim te bluzinjtë dhe festë te përmetarët. Përpara se skuadrat të fillonin lojën, kapitenët e ekipeve, Eldar Batha i AF Luftëtarit dhe Heriald Karalliu i Përmetit vendosën nga një buqetë me lule në fanellën me numër 7 që mbante mbiemrin e të ndjerit Mustafa Hysi, trajnerit të paharruar gjirokastrit që humbi jetën dy javë më parë.

Luftetari Permeti

Pas një minute heshtjeje që mbajtën skuadrat, ndeshja nisi e qetë. Shkëndijën e parë e jep Kodhelaj, që gjuan nga e majta e sulmit gjirokastrit, por Selmani pret i sigurt.

Në minutën e 23-të bluzinjtë e Petraq Meçit gjejnë golin e avantazhit. Pas krosimit në zonë të Bellait është qendërmbrojtësi Matushi që kërcen mbi të gjithë me kokë dhe shënon. Përmetarët nuk pajtohen me rezultatin dhe hidhen në sulm. AF Luftëtari goditet psikologjikisht në minutën e 41-të, kur Matushi ndëshkohet me karton të kuq pas dyluftimit në ajër me një prej futbollistëve miq.

Luftetari Permeti2

Fillimisht karton i verdhë, e më pas arbitri korçar, Marius Mustafa, i nxjerr të kuqin mbrojtësit gjirokastrit për protesta. Ky vendim prodhon tension në stadium, pasi vendimi i arbitrit kontestohet gjatë. Miqtë përfitojnë nga ky moment dhe ia dalin të barazojnë me Hoxhën pas një krosimi nga e djathta të Todhes.

Luftetari-Permeti logo

Pjesa e dytë dominohet totalisht nga bluzinjtë, por goli i avantazhit nuk vjen. Për ndërhyrje të rëndë ndaj Mahmutajt ndëshkohet me të kuq Hoxha i miqve. Ndërsa në minutën e 89-të arbitri lë Përmetin me 9 lojtarë, pasi Todhe kapet me tifozët në pjesën jugore të stadiumit. Gjithçka mbyllet me shifrat 1-1.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"