Bano: Jam i hapur për hetim, Bylis të bjerë në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2017 | 10:30

Bano: Jam i hapur për hetim, Bylis të bjerë në Kategorinë e Dytë

Pas akuzave të skuadrës së Bylisit në drejtim të Lushnjës se ka trukuar ndeshjen ndaj Pogradecit, e cila përfundoi në shifrat 2-2, nuk ka vonuar dhe përgjigjja e myzeqarëve.

Këta të fundit në këtë sezon janë në krye të klasifikimit në grup dhe në garë për t’u ngjitur në Superiore, ashtu si edhe Bylisi që është poshtë tyre me një diferencë prej tri pikësh.

Ka qenë trajneri Artan Bano, i cili, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur i hapur për çfarëdolloj hetimi nga organet përkatëse në FSHF në lidhje me akuzat e skuadrës së Bylisit.

Bano

 

“Të them të drejtën, ne nuk na intereson aspak Bylisi, pasi shohim vetëm punën tonë. Megjithatë, për atë ndeshje që ata pretendojnë, mund të them se ajo është transmetuar direkt në televizion dhe nëse ballshiotët kanë ndonjë pretendim, le ta çojnë në Komisionin e Etikës.

Por, në këtë komision le të çojnë të dyja ndeshjet. Edhe atë që ne kemi luajtur ndaj Pogradecit, por edhe atë mes Tomorit dhe Bylisit ku kanë fituar këta të fundit. Nëse ajo ndeshje pastaj rezulton e trukuar nga ana jonë nuk ka asnjë problem dhe le të na nxjerrin në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm”, është shprehur trajneri i Lushnjës, i cili konfirmon se gjithçka ka qenë e pastër.

SHERRI

Një tjetër pretendim i klubit të Bylisit ka qenë edhe një sherr pas ndeshjes i Banos me futbollistët e tij, ndërsa shkojnë edhe më tej duke hedhur akuza edhe për portierin Spaho. Por vetë trajneri lushnjar i mohon këto zëra.

“Nuk kam pasur arsye për të bërë sherr me lojtarët, pasi i kam marrë maksimumin e mundshëm. Madje mund të them se në fund të ndeshjes i kam përgëzuar.

Për ne ishte njësoj si fitorja, si barazimi. Ndërsa për portierin Spaho mund të them se është meritë e tij që ne jemi në garë për Superiore.

bylis

Ka bërë një gabim, por çdokujt mund t’i ndodhë. Ne jemi klub tjetër dhe i trajtojmë ndryshe futbollistët, pasi jemi profesionistë. Nuk mund të largojmë një futbollist se bëri një gabim. Kjo, nuk është as e moralshme dhe as profesionale. E përsëris që çfarëdolloj ankese që të ketë klubi i Bylisit, karshi Lushnjës të shkojë në Etikë dhe jemi dakord.

lushnja spaho

Ndeshja jonë është 94 minuta, ndërsa ne kemi për detyrë të çojmë vetëm katër minuta në këtë Komision Etike, për të treguar se çfarë është bërë në takimin që ata kanë luajtur ndaj Tomorit. Nëse ajo quhet e trukuar, le të marrë masa federata. Por ama të jetë njësoj për të dyja palët.

Nëse del ndeshja e tyre me Tomorin e trukuar të dalin ata në Kategorinë e Dytë. Unë jam i hapur që të ndërmerren të gjitha hapat institucionalë”, ka thënë Bano

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"