Bano, i sigurt: Lushnja do të jetë surpriza e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 15:53

Bano, i sigurt: Lushnja do të jetë surpriza e Superiores

Pa shumë bujë në afrime dhe duke ruajtur grupin e sezonit të shkuar, Lushnja po bëhet gati për sezonin e ardhshëm që do të luajë në Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Artan Bano ka treguar përgatitjet e deritanishme të skuadrës si dhe objektivat për sezonin e ri.

Bano

“Mund të them se gjithçka është në rrugë të mbarë. Prej kohësh kemi nisur përgatitjet dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë me përjashtim të Korreshit, i cili ka pësuar një dëmtim dhe nuk e dimë se sa do të mungojë.

Lushnja vs Lece

Gjithashtu, së fundmi kemi zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj Leçes në Itali, ku bëmë një paraqitje të mirë dhe kemi pësuar golat e humbjes, pas minutës së 65-të, kur edhe kam hedhur dhjetë lojtarë nga stoli në fushë”, ka thënë fillimisht trajneri Bano, që flet edhe për merkaton.

“Të them të drejtën, kemi nevojë për një mesfushor organizator që të na rregullojë disi lojën, pasi mungesa e Korreshit na prish disi punë. Pra, deri në mbyllje të merkatos presim edhe te lojtarët të nivelit mbi mesatar, por deri diku jemi të kushtëzuar edhe nga financat, pasi nuk mund të ofrojmë shumë. Por, jam i bindur se do t’ia arrijmë që të gjejmë alternativat e duhura”, ka vazhduar numri një i skuadrës së Lushnjës.

Bano

Objektivi – Për një skuadër që ngjitet nga Kategoria e Parë, siç është edhe Lushnja, objektivi për të mbijetuar në Superiore është primar dhe Bano e di mirë një gjë të tillë. “Ne kemi ruajtur grupin e futbollistëve dhe kjo është pozitive. I kam parë skuadrat e tjera që janë përforcuar me elementë cilësorë, por nuk e di se sa do të arrijnë, që t’i bëjnë ata grup, pra të zhvillojnë lojë kolektive.

Bano

Megjithatë mua më intereson Lushnja dhe të jeni të bindur se do të shihni në fushë një skuadër që do të dijë t’i bëjë ballë çdo kundërshtari, madje mund të konsiderohet dhe si surpriza e Superiores.

Objektivi dihet që është mbijetesa dhe besoj se do të arrijmë ta realizojmë në një kampionat mjaft të vështirë. Gjithashtu, gjatë sezonit do të kërkojmë edhe mbështetjen e tifozëve dhe jam i bindur se ajo nuk do të na mungojë”, mbylli Bano.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"