Bankini: Superiorja, si ndeshjet ‘big’ të Serisë B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2016 | 15:47

Bankini: Superiorja, si ndeshjet ‘big’ të Serisë B

Fitorja e fundit ndaj Vllaznisë ka kthyer qetësinë te Laçi. bankiniKur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur në kampionat, kurbinasit mendojnë të arrijnë matematikisht qëndrimin në Superiore dhe, më pas, të hidhen në sulm për të përgatitur finalen e Kupës.

Ndihmësi i trajnerit Ndreu, Marko Bankini, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” foli rreth fitores me Vllazninë, si dhe ka sqaruar jo vetëm ecurinë e skuadrës dhe planet për të përgatitur Kupën, por dhe për të ardhmen e tij te kurbinasit.

Marko, një fitore e bukur ndaj Vllaznisë, por në fund ka drithërima. Ishte një ndeshje e bukur dhe vendimtare për ne. Skuadra zbriti në fushë e vendosur dhe në fund ia doli të marrë tri pikët, që për ne janë oksigjen në këtë fundkampionati.

E përgëzuat Selmanin për atë pritje madhështore në fund?

Gjëja e parë që bëri presidenti dhe më pas u pasua edhe nga unë. Shpëtoi ndeshjen, pasi në fund ekipi ishte i përgjumur. Erdhët me Eugent Zekën, tashmë jeni me drejtorin teknik në timon. Si ndihet Bankini në bashkëpunimin me Ndreun. Janë marrëdhënie mjaft të mira. Ndihem mirë dhe i vlerësuar. Po punojmë së bashku për ta dërguar Laçin në pozitat që i takon. Ndaj Vllaznisë ekipi tregoi nivel të lartë loje, por po të kishin pak më tepër përqendrim në fund, festa do të ishte më e madhe. Për këtë po punojmë së bashku me Ndreun dhe jam i kënaqur. Nuk ka kohë për festë, pasi në mesjavë udhëtoni drejt Korçës.

Do kërkoni pikë ndaj Skënderbeut?

Kudo që shkojmë kërkojmë pikë. Skuadra, pavarësisht disa ndeshjeve, ka treguar rritje. Edhe në takimin e radhës Laçi do të tregojë se është një grup i bashkuar duke i vendosur në vështirësi edhe kampionët.

Hera e dytë që jeni në drejtim të skuadrave shqiptare. Keni krijuar një ide rreth nivelit të kampionatit shqiptar?

Unë jam italian dhe me syrin tim shikoj se futbolli këtu po ecën me hapa të mëdha. Ka ndeshje që ngjajnë me duelet e forta të Serisë B në Itali, por në ndonjë rast, pa ekzagjeruar, luhet edhe më mirë.

Çfarë do të ndodhë me Bankin pas sezonit?

Me presidentin, të cilin e falënderoj, kemi biseduar që pas kampionatit dhe finales së Kupës, do të ulemi e të flasim për të ardhmen. Sigurisht që më pëlqen puna këtu. Shikoj njerëz që janë të përgjegjshëm, të saktë dhe korrektë.

Përgatiti: Isuf Myrtaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"