Bankieri Sarri sfidon “përkthyesin” Murinjo, Çelsi kërkon historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 12:13

Bankieri Sarri sfidon “përkthyesin” Murinjo, Çelsi kërkon historinë

Është e çuditshme të mendosh se Mauricio Sarri është një fuqi e madhe në botën e futbollit dhe Zhoze Murinjos po i veniten forcat. Nuk është çështje moshe, pasi trajneri i Junajtid është 4 vite më i ri se numri një i Çelsit. Por, hyrja e Sarrit në elitën e futbollit pas një eksperience në bankë i jep një freski të veçantë edhe pse në moshën 59-vjeçare.

Chelsea-Maurizio-Sarri-Jose-Mourinho-1033949

Murinjo e kishte atë kur doli i pari në skenë, një dekadë më parë me Porton dhe pastaj me Çelsin. Por, edhe pse fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 2004, u konsiderua si një i jashtëm në elitën e trajnerëve sepse e kishte nisur si mësues fizkulture dhe përkthyes. I duhej të tregonte se ishte “Special One” për të marrë vëmendjen e merituar. Dy trajnerët do të përballen me njëri-tjetrin për herë të parë si dy shembuj të ndryshëm dhe që ditët e sotme janë në majat e trajningut. ÇelsiJunajtid (13:30) është një duel edhe Sarri-Murinjo.

MURINJO Teksa pa të atin Feliks që luajti vetëm një ndeshje me Portugalinë, Zhoze Murinjo provoi të bëhej futbollist, por e ndërpreu shumë shpejt rrugëtimin. Kështu që vendosi të bëhej trajner dhe të ndiqte studimet për këtë gjë. Në moshën 20-vjeçare ishte mësues fizkulture. Ishte shumë strikt dhe punëtor, sigurisht merrte edhe vëmendjen e vajzave. Murinjo ishte një vëzhgues i skuadrës Ovarense, teksa në vitin 1992 u bë përkthyes i Bobi Robsonit, i cili mori drejtimin e Sportingut të Lisbonës dhe i duhej dikush për ta ndihmuar. Patën një marrëdhënie të shkëlqyer dhe pastaj lëvizën së bashku te Porto dhe më vonë te Barcelona në vitin 1996.

celsi

SARRI Si lojtar ishte qendërmbrojtës, por luajti vetëm në nivele amatore dhe kurrë si profesionist. Ndërkohë punonte si bankier. I është dashur të udhëtojë shpesh në Londër, Zyrih dhe Luksemburg. Në verën e vitit ’90 nisi të stërviste ekipin Stia 1925 dhe mori drejtimin e disa skuadrave të vogla. Por, në vitin 2001, kuptoi se trajningu nuk ishte për të dhe vendosi që t’i përkushtohej maksimalisht punës së zyrës. Por, pasioni për futbollin bëri që ai të regjistrohej në Koverçiano (shkolla e futbollit italian) dhe të pajisej me licencë. Megjithatë, për shumë vite drejtoi ekipe të niveleve të ulëta dhe vetëm kur ishte 55 vjeç pati një skuadër në Serinë A. Tani është koha të përballen me njëri-tjetrin për të matur forcat në Premier Ligë. Njëri me futbollin spektakolar dhe sulmues, tjetrin me stilin pragmatist dhe fitues. Sigurisht që mes tyre do të ketë një përqafim të ngrohtë në fillimin e ndeshjes dhe një shtrëngim duarsh në fundin e saj. Cilido qoftë fituesi, dueli në pankinë do të ketë respekt maksimal. Sigurisht që dy ekipet duan fitore, Çelsi për të vazhduar rrugëtimin pozitiv që ka nisur drejt objektivit për të fituar titullin kampion dhe Junajtid për të dalë nga kriza ku ishte zhytur. Fitorja e çmendur ndaj Njukasëllit solli kthesën, por Murinjo dhe ekipi i tij duhet të vazhdojë në këtë rrugë.

junajt

DEKLARATAT Diçka e tillë u kuptua nga deklaratat pozitive që bënë dy trajnerët në prag të ndeshjes. Numri një i Çelsit, Mauricio Sarri, ka thënë se Murinjo meriton respekt. “Murinjo është një trajner i madh dhe ka bërë histori te Çelsi. Ai është fitues dhe mendoj që meriton respekt. Unë jam shumë i lumtur për ecurinë që kemi pasur, por mund të përmirësohemi. Por nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për të punuar. Sepse në fillim kur mora drejtimin e skuadrës, nuk kisha shumë lojtarë, ndërsa tani po luajmë çdo 3 ditë. Ka qenë e vështirë të punojmë, por mund të përmirësohemi. Në aspektin mbrojtës kemi shumë nevojë për punë sepse po u japim kundërshtarëve tanë lirshmërinë për të krijuar shumë raste”, tha Sarri.

Nga ana tjetër, Zhoze Murinjo premton se nuk do të festojë në respekt të tifozëve të Çelsit. “Për mua është thjesht një ndeshje. Nuk do të festoj si i çmendur nëse skuadra ime do të shënojë. Nuk mendoj se do të festoj edhe nëse fitojmë. Unë përpiqem gjithmonë që ta kontrolloj veten dhe ta respektoj stadiumin dhe tifozët, të cilët kanë qenë fansat e mi për shumë vite. Por, tani jam i Junajtid dhe dua fitoren. Nuk ka hapësirë për asgjë tjetër, përveç respektit. Dua më të mirën për ekipin tim, për lojtarët e mi dhe për tifozët e mi”, ka thënë Zhoze Murinjo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"