Bana: Flamurtari përdori ndriçimin si “kalë Troje”, gjyqtari ndryshoi qëndrim pas fikjes së dritave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2017 | 9:53

Bana: Flamurtari përdori ndriçimin si “kalë Troje”, gjyqtari ndryshoi qëndrim pas fikjes së dritave

Në lidhje me ndeshjen e fundit kundër Flamurtarit, në kampin e Kamzës, një faktor thelbësor për humbjen është konsideruar gjykimi. Më i ashpër kundrejt tij ka qenë shefi i klubit, Albert Bana, i cili pas analizës ka dhënë dhe një prononcim për “Panorama Sport”:

Albert Bana

“Nuk jam i ashpër ndaj gjyqtarëve, por më shumë e kam me drejtuesit e klubit të Flamurtarit, të cilët përdorën ‘kalin e Trojës’ për të marrë fitore ndaj nesh e ‘kali’ erdhi pikërisht në errësirë. Kanë qenë disa momente që ne jemi penalizuar nga gjykimi. Fillimisht na u anulua një gol i rregullt, më pas na u mohua një penallti e pastër dhe goli vlonjat erdhi pas një faulli që gjyqtari Sadiku duhej të jepte në favorin tonë.

Sipas meje, momenti i goditjes në kokë të Raçiçit në dyluftimin me Alvesh, ku braziliani e goditi me grusht lojtarin tonë dhe më pas erdhi moment i golit të vlonjatëve.

Ajo që dua të theksoj më shumë është sjellja jo korrekte e drejtuesve të Flamurtarit, të cilët fillimisht na bënë një pritje të zakonshme ose ‘furçe’ siç i themi ne, dhe pas fikjes së dritave, që për mua ka qenë e qëllimshme, errësira u shfrytëzua për të ndryshuar qëndrimin edhe gjyqtari.

Remzi Sadiku dhe Danilo Alvesh

Sipas meje, fikja ka qenë e qëllimshme, pasi janë fikur vetëm dritat në fushë dhe jo përreth stadiumit. Nuk kam asnjë paragjykim për Sadikun, pasi gjatë pjesës së parë dhe më pas deri në momentin e fikjes së dritave, e ka mbajtur mirë ndeshjen dhe pas rikthimit nga errësira ka mbajtur një qëndrim pro Flamurtarit duke u bërë i njëanshëm”, ka deklaruar Bana.

kamza-02

DËMTIMET – Te Kamza ka shumë lojtarë të dëmtuar që rrezikojnë për ndeshjen kundër Laçit. Më rëndë paraqitet gjendja e portierit Halilaj, që ka zgjatje të meniskut në këmbën e djathtë.

Dëmtim ky gjatë një momenti hedhjeje në ndeshjen kundër Flamurtarit. Një tjetër i dëmtuar është mbrojtësi Hektor Idrizaj. Po kështu edhe sulmuesi serb Stevan Raçiç, i cili ka dëmtim në kokë. Të gjithë të dëmtuarit nuk kanë kryer stërvitje gjatë ditës së djeshme.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"