Ballkaniada, presidenti i Federatës së Çiklizmit rrëfen garën: Serbët na duartrokitën, jemi reklama më e mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2019 | 18:39

Ballkaniada, presidenti i Federatës së Çiklizmit rrëfen garën: Serbët na duartrokitën, jemi reklama më e mirë

Kombëtarja shqiptare e çiklizmit mori pjesë në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Trebinjë të Bosnjë-Hercegovinës. Kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje mjaft të mirë dhe arritën të fitonin edhe një medalje ari me Ylber Sefën, i cili triumfoi në kategorinë elitë.  ylber sefa

Sefa triumfoi në garën e rezistencës, duke i përshkuar 95 km për 2 orë, 1 minutë e 2 sekonda. Plot 48 sekonda më i shpejtë se serbi Daniloviç dhe 53 sekonda më i shpejtë se qiprioti Aleksadros, që u rendit i treti. Një paraqitje mjaft të mirë bëri edhe Olsion Velia, i cili për më pak se 2 sekonda mbeti jashtë podiumit, në një event ku konkurrenca ishte mjaft e fortë me ekipet më të mira të rajonit, si Serbia, Greqia apo Turqia.

Pas kthimit në Shqipëri, presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, në një intervistë për “Panorama Sport” rrëfen eksperiencën në ballkaniadë, si dhe flet për objektivat dhe vështirësitë e federatës që ai drejton.

ciklizem

Z.Anxhaku, si do ta komentonit aktivitetin e zhvilluar së fundmi në BosnjëHercegovinë?

Ishte një ndër aktivitetet më të rëndësishme dhe më të forta, pas Botërorit dhe Europianit. Fillimisht garat startuan me kadetët dhe e nisëm mjaft mirë ku ishim pretendentë për të fituar, por në momentet e fundit nuk arritëm dot të merrnim medalje. Më pas nisi eventi tjetër për kategorinë e të rinjve dhe elitës. Një aktivitet shumë i fortë, me çiklistë që pedalojnë në Europë me ekipe elitare, në kampionatet më të forta.

Sportisti ynë Ylber Sefa arriti të fitonte në një garë me 20 xhiro, ku në xhiron e 17-të bëri diferencën, duke u shkëputur nga grupi i kreut. Një provë fantastike e tij që i bëri një reklamë mjaft pozitive të gjithë shtetit shqiptar, duke marrë medaljen e artë. Ky është një nga çiklistët tanë më të përgatitur, që garon në Belgjikë dhe mendojnë se me pak fat do t’ia dalë të kualifikohet në Olimpiadë.

Paraqitja e Sefës impresionoi edhe serbët. Na tregoni diçka më tepër…

Në momentin e ngjitjes në podium, Sefa mori duartrokitje të forta nga publiku i shumtë serb që ndodhej në Trebinjë. Pra, paraqitja jonë e mrekullueshme u imponoi edhe serbëve që të na respektonin maksimalisht. Ata e vlerësuan shumë fitoren e sportistit tonë, i cili bëri një garë të shkëlqyer, duke u shkëputur për shumë km.

ylber sefaa

Jeni i kënaqur me rezultatin e arritur? A kishte mundësi Kombëtarja jonë të bënte më shumë?

Dëshira ishte e madhe që edhe kadetët apo juniorët të merrnin medalje, por mënyra se ishte i organizuar aktiviteti, ku ne nuk e njihnim mirë terrenin, mendoj se ishte vendimtare. Ky është një sport që kërkon “7 hile dhe 1 trimëri” e në momentin e fundit fiton ai që e njeh më mirë terrenin. Dua ta vlerësoj edhe garën e bërë nga Olsion Velia, që i qëndroi në krah Ylberit gjatë gjithë kohës.

Cilat do të jenë garat e ardhshme dhe objektivat që ka FSHÇ?

Një nga aktivitetet më të rëndësishme, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Ballkan apo Europë, është Xhiroja e Shqipërisë, ku ne jemi të regjistruar me gati 20 ekipe të huaja. Ky është një event madhor që nuk i bën reklamë vetëm federatës sonë, por gjithë Shqipërisë, duke nisur nga bregdeti, nga malet, nga fushat e në të gjitha drejtimet.

Të gjithë ata familjarë dhe turistë që kanë ardhur së bashku me sportistët, kur kanë parë sidomos etapën Vlorë-Sarandë, janë mahnitur nga pamja piktoreske dhe nga viti në vit numri i këtyre turistëve është rritur. Së fundmi ishin të pranishëm 50-60 familje nga e gjithë Europa për ta parë nga afër këtë event.

kombetarja e ciklizmit

Ju shpeshherë keni përmendur vështirësi të shumta dhe keni kërkuar mbështetje. Çfarë apeli keni për shtetin?

Shteti duhet ta shikojë me një sy tjetër dhe mendoj që duhet një publicitet më i madh nga Ministria e Turizmit, pasi çiklizmi është një sport që nderon flamurin dhe vendin tonë. I bëj thirrje në mënyrë të veçantë Ministrisë së Sportit dhe Komitetit Olimpik që ta mbështesin më shumë federatën tonë, që t’u jepet një ndihmë këtyre djemve që garojnë me gjak, dinjitet dhe personalitet dhe derdhin djersë, duke e përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.

Gjithashtu, kryetarët e bashkive duhet të qëndrojnë më pranë çiklizmit, pasi ky është një sport që ka shumë shpenzime, por nga ana tjetër i bën një reklamë të shkëlqyer Shqipërisë. Ndërsa dua të falënderoj Policinë e Shtetit që i bën një mbështetje të madhe federatës sonë, në të gjitha eventet, ku nuk kemi pasur asnjëherë incidente.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"