Ballkani tenton sot surprizën kundër Sivasporit në transfertë, Daja: Rëndësi ka të luajmë mirë, grupet i kalojmë herën tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 13:00

Ballkani tenton sot surprizën kundër Sivasporit në transfertë, Daja: Rëndësi ka të luajmë mirë, grupet i kalojmë herën tjetër

Ballkani do të zhvillojë sot ndeshjen e tretë në grupet e Ligës së Konferencës. Kampionët e Kosovës kanë udhëtuar drejt Turqisë, teksa në orën 18:45 do të përballen me Sivasporin. Skuadra nga Suhareka ka një pikë në dy ndeshjet e para, ku veçohet barazimi me Kluzhin në shtëpi dhe humbja 3-2 me Slavian e Pragës.

Daja Ilir

Ndërkohë sot, edhe pse me shumë mungesa, Ballkani do të tentojë që të zhvillojë një lojë të mirë, për të fituar sa më shumë eksperiencë dhe për të bërë një paraqitje dinjitoze, kështu është shprehur në konferencën për shtyp përpara medieve, edhe trajneri i Ballkanit Ilir Daja: “Duke u nisur nga fakti se për ne është eksperienca e parë, Ballkani merr pjesë për herë të parë në grupet e një kompeticioni europian. Kundërshtarët kanë qenë mjaft të fortë, por ne jemi munduar dhe ia kemi dalë që të bëjmë një lojë të mirë”, tha fillimisht trajneri.

SYNIMET- Daja foli gjithashtu edhe për objektivat e skuadrës së tij në grupet e Ligës së Konferencës, teksa kërkoi vetëm një paraqitje sa më dinjitoze, pasi objektiv nuk është kalimi i grupeve: “Synimi i Ballkanit është të bëjmë një eksperiencë të mirë. Në këtë moment është të paraqitemi sa më mirë, të përfaqësojmë edhe Kosovën në mënyrën më të mirë. Shpresojmë që herët e tjera të kemi synim kalimin e grupit”, ka përfunduar Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"